“Gardiani” i Juves: “Titulli i ‘Calciopoli’-t nuk më intereson”
E ardhmja e Xhixhi Bufon te Juventusi nuk është e sigurt. Pas humbjes 2-0 që bardhezinjtë pësuan në fushën e Interit, portieri deklaroi: “Përpara njëzet ditëve, klubi bëri një deklaratë për shtyp dhe aty flitej për të ardhmen time. Mjafton ta lexosh me kujdes”. Fjalë që krijojnë përshtypjen se “gardiani” është në prag të lamtumirës, pasi nëse vjen një ofertë e lartë, klubi bardhezi do ta shqyrtojë me kujdes. Shitja e Bufon do të bëhet realitet nëse mungojnë paratë nga kualifikimi në Champions League, edhe pse 32-vjeçari këmbëngul se “qëndrimi im nuk varet nga klasifikimi i skuadrës”. Bajerni i Mynihut, Mançester Junajtid dhe Mançester Siti, kanë shfaqur interes për portierin, me “sitizëns” që mund të ofrojnë deri në 35 milionë euro. Më tej, Bufon ka folur edhe për “Calciopoli”-n, ku ndryshe nga shumë juventinë të tjerë, dëshiron që ky kapitull të mbyllet sa më shpejt: “Është një çështje që e dëmton futbollin. Kanë kaluar disa vite, nuk më intereson se cila skuadër do e marrë atë titull”.