28 prill 2010
“Big Luçiano” sërish në sulm, publikon telefonata të tjera
Seanca e djeshme e “Calciopoli”-t në Gjykatën e Napolit filloi me vonesë. Ashtu siç ishte bërë e ditur, Karlo Ançeloti, dëshmitari i thirrur nga pala mbrojtëse, nuk u paraqit. Dëshmia e trajnerit të Çelsit është shtyrë për në datën 11 maj. Ndërkohë, në sallë ndodheshin Moxhi, ish-gjyqtarët De Santis e Bertini dhe ish-disenjatori Bergamo. Avokatët mbrojtës të “Big Luçianos” kanë paraqitur dhjetë biseda të tjera telefonike, të cilat do t’u shtohen regjistrimeve që janë miratuar për t’u transkriptuar. Nikola Penta, konsulenti për çështjet sportive, ka folur rreth “tri telefonatave nga një numër fiks i klubit Bolonja dhe gjyqtarit Masimo De Santis; 3 ndërmjet klubit Inter dhe ish-përcaktuesit të gjyqtarëve Paolo Bergamo; një ndërmjet presidentit të atëhershëm të Interit (Xhaçinto Faketi) dhe De Santis; dy ndërmjet klubit të Parmës dhe ish-disenjatorëve Bergamo e Pierluixhi Paireto dhe një telefonatë që ka zgjatur 42 minuta ndërmjet presidentit të Kaljarit, Masimo Çelino dhe Bergamos”. Ndërkohë, mjaft e fortë ka qenë edhe deklarata e ish-disenjatorit Paireto, i cili tha: “Federata na shtynte që të krijonim lidhje të afërta me klubet, në mënyrë që të evitonim polemikat nëpër media. Të thoshe skemat e gjyqtarëve para ndeshjeve, nuk ishte e ndaluar dhe nuk shihej me sy të keq nga FIGC”.