Kapiteni bardhezi ka përgënjeshtruar zërat për një largim nga Juventusi
Tek Juventusi i të ardhmes do të jetë akoma Aleks Del Piero. Në ditët e kaluara është folur për një kalim të mundshëm të kapitenit bardhezi në kampionatin amerikan të futbollit tek skuadra e Nju Jorkut, Red Bull. Hipotezë kjo që dukej e realizueshme: numri 10 i “Zonjës së Vjetër”, shumë i dashuruar me fanellën bardhezi për t’u bërë pengesë për planet e klubit, mund të kishte hapur rrugë në mënyrë të vullnetshme për të lejuar rindërtimin e Juventusit, për t’u rikthyer më vonë ndoshta si drejtues, pasi të kishte varur këpucët në gozhdë.
Ndërsa, kapiteni nuk ka ndërmend të largohet edhe këtë e ka bërë të ditur nga saiti i tij në internet: “Miq të dashur, për t’iu përgjigjur pyetjeve që shumë prej jush më kanë bërë gjatë këtyre ditëve… Po, është e vërtetë, këtë verë do të shkoj në Amerikë.
Me pushime. Por më pas do të kthehem”. Pas gjashtëmbëdhjetë vitesh me Juventusin, “Pinturikio” nuk mendon aspak për të braktisur skuadrën në këtë moment delikat dhe të veshë fanellën e klubit të tretë të karrierës së tij (pas asaj të Padovas, me të cilën ka debutuar), do të jetë edhe ai pjesë e Juventusit të ri për të vazhduar të shkruajë faqe të rëndësishme historie. Amerika mund të presë, ndoshta Aleks do ta mbyllë karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara ose në Japoni, por tani fati i “Zonjës së Vjetër” është shumë më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër dhe Del Piero dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre, duke shënuar gola.