Zhvillimet sensacionale rreth çështjes Calciopoli nuk kanë të ndalur. Lazio tashmë edhe zyrtarisht kërkon dëmshpërblim për dënimin e marrë në vitin 2006. Në ndërkohë, Luciano Moggi mund të përshëndetet nga futbolli pasi federata italiane e futbollit (FIGC) ia ka ndaluar ‘krijuesit të Calciopolit’ veprimtarinë në futbollin italian. Pronari i Juventusit, John Elkann ka kërkuar që Juventusit t’i kthehet titulli që iu mor nga Interi.
Lazio ishte dënuar nga gjyqi sportiv i Calciopolit me 30 pikë duke e humbur rastin për të luajtur në Evropë, kemi të bëjmë me sezonin 2005/2006. Nga ana tjetër Claudio Lotito u dënua me tri vite e gjysmë suspendim nga aktiviteti i futbollit, por pas apelit ai u dënua me vetëm tre muaj. Pas dëshmive të reja të paraqitura në gjyqin e Calciopolit në Napoli, Lazio edhe zyrtarisht ka kërkuar dëmshpërblim në rast se Paolo Bergamo dëshmon se nuk ka kontaktuar me zyrtarët e Lazios.
Ndalimi përjetë i aktivitetit në futboll për Moggin nuk është pritur mirë nga ky i fundit i cili u shpreh: “Nuk e di çfarë do të thotë gjithë kjo. Ata duhet të kenë turp nga vetvetja pas gjithë asaj që u zbulua. Nuk flas vetëm për veten dhe për Giraudon (edhe ky i dënuar si Moggi), por për të gjithë ata që vuajnë”, ka thënë Moggi.
Tifozët e Juventusit kanë paralajmëruar së shpejti protestë para FIGC në mbrojtje të Moggit.
Dhe më i zëshmi duket se ka qenë pronari i Juves, John Elkann, që me rastin e prezantimit të presidentit të ri, ka kërkuar dhe kthimin e Scudettos që iu dha atëkohë Interit.
“Ditëve të ardhshme do t’i prezantojmë diçka FIGC-së për të kërkuar kthimin e titullit të sezonit 2005/2006. Sipas asaj në çfarë besojmë ne, rregullat janë të njëjta për të gjithë”, deklaroi Elkann për La Stampa.
Një vendim defintiv për fatin e Calciopolit pritet të merret në qershor, kur të transkriptohen rreth 100 telefonata mes zyrtarëve të Interit dhe klubeve tjera me planifikuesit e gjyqtarëve. Është shumë e mundshme që Interit t’i merret titulli i sezonit 2005/2006 ose të dërgohet në Serie B.