Pas rihapjes së gjyqit sportiv, ish-drejtuesi kërkon që klubi të jetë më aktiv
Luçiano Moxhi i bën thirrje Juventusit të hidhet në kundërsulm. Sipas tij, drejtuesit aktualë të klubit po tregohen shumë pasivë ndaj ngjarjeve të reja që janë publikuar rreth “Calciopoli”-t në gjyqin e Napolit. Nevojitet një ndryshim i sjelljes, pasi sipas fjalëve të ish-drejtorit të përgjithshëm bardhezi, “Zonja e Vjetër” nuk mund të paguajë për gabime që nuk i ka bërë. I intervistuar nga “tuttipazziperlajuve.com” (të gjithë të çmendur për Juven), Moxhi flet për strategjinë e mbrojtjes: “Duam të tregojmë se të gjitha klubet e futbollit silleshin në një mënyrë të caktuar, por askush nuk ka vepruar si Morati, i cili ka kërkuar një arbitër, duke i thënë emrin përcaktuesit të gjyqtarëve. Problemi i vërtetë është se Karraro tregon se ka ndikim te disenjatorët. Për sa i takon pjesës tjetër, natyrshëm që drejtuesit kanë mbrojtur interesat e klubit të tyre, pa thënë asnjëherë ‘më ndihmo të fitoj apo të humbas’. Nuk mendoj se është bërë ndonjë krim. Ata që janë përfshirë në regjistrimet më të fundit janë të pafajshëm, ashtu sikurse edhe Juventusi me drejtuesit e saj”. Në këtë mënyrë, “Big Luçiano” bën thirrje për një pafajësi kolektive. Të gjithë flisnin me të gjithë, e pavarësisht se ndokujt nuk i pëlqen ky fakt, nuk kemi të bëjmë me një krim: “Fjalët dhe muhabetet nuk përbëjnë krim, konfirmoi Moxhi. Juve nuk mund të paguajë për një faj që nuk ekziston. Ndërsa të tjerët, që tashmë përdorin si armë ‘ligjin e faljes së parregullsive për shkak të kalimit të një periudhe të gjatë’, nuk iu nënshtruan asnjë gjykimi, pasi provat mbetën të mbyllura në një dollap dhe nuk u paraqitën kurrë në federatë. Gjithsesi, mendoj se ishte e nevojshme që gjyqi sportiv të rihapej”. Në hetimin e hapur nga FIGC, nën shënjestër janë mjaft klube. Mes tyre spikat Interi, skuadër për të cilën Moxhi nuk përdor fjalë të buta: “Zikaltërit janë skuadra që bëri pasaportat false dhe në të njëjtin vit, më 1998-n, kërkonin edhe titullin. Ndoshta ata harrojnë të thonë se tek Interi luante Rekoba, i cili ishte ekstrakomunitar, por nuk figuronte i tillë. Janë shumë të pafytyrë. Nga telefonatat dukej qartë se Faketi i tregonte disenjatorit Bergamo preferencat e tij për gjyqtarët, ndërsa neve për gjëra të tilla na masakruan. Ata tashmë nuk mund të fshihen pas faljes së shkeljeve, pasi nëse ata falen, duhet të falemi edhe ne”.
Goditja më e ashpër që Moxhi u jep drejtuesve, por mbi të gjithëve pronarëve të Juventusit, vjen pikërisht rreth ngjarjeve që lidhen me Interin. “Në këtë pikë, pronarët e Juves duhet të vihen në lëvizje dhe të marrin një pozicion të qartë. Por, ata po mendohen shumë rreth këtij vendimi. Jemi të paktë ne që po luftojmë për të njëjtin qëllim: Juventusin po e mbrojmë vetëm unë dhe tifozët. Po e bëjmë që klubit t’i kthehet imazhi i mëparshëm, pasi nuk ka bërë asgjë”. Rreth skandalit të vitit 2006 dhe reagimeve të tanishme, ai shtoi: “Tashmë po del në sipërfaqe ajo që duhej të bëhej publike 4 vite më parë, por dikush nuk e bëri punën e tij. Nuk ekzistonte sistemi ‘Moxhi’ apo ‘Xhiraudo’, por diçka që kishte në krye Karraron, në regjistrimet e të cilit thuhej se Juve nuk duhej të favorizohej dhe se Lacio duhej mbrojtur për mos të rënë nga kategoria, përfundoi Moxhi. Drejtuesit duhet të mbrojnë emrin e Juventusit, por edhe përpara fakteve të reja ata qëndrojnë pa lëvizur. Klubi duhet ta vazhdojë betejën”.