I akuzuari kryesor për skandalin “Calciopoli”, që në vitin 2006 tronditi futbollin italian, vazhdon të bëhet protagonist
Ish-drejtuesi i Juves: Gjithçka përfundon kur të thonë se nuk kam bërë asgjë
Presidenti i Interit, Xhaçinto Faketi, dhe “drejtues të tjerë klubesh vepronin jashtë normales”, ndërsa “Moxhi dhe Xhiraudo nuk e bënin diçka të tillë”. Kjo është teoria më e re e Luçiano Moxhit, ish-drejtuesit të përgjithshëm të Juventusit, të akuzuarit kryesor për skandalin “Calciopoli” dhe që është nën hetim nga Gjykata e Napolit për “grupim kriminal” rreth ngjarjeve të vitit 2006. 73-vjeçari, i cili është dënuar me një vit e gjashtë muaj burg për dhunë private me kompaninë e menaxherëve “Gea World”, ka pohuar në emisionin “Ventura Football Club” në “Radio 1” se “gjithçka do të përfundojë kur të thonë se Luçiano Moxhi nuk ka bërë asgjë”. Më tej ai vazhdoi polemikat me zikaltrit: “Thonë se Faketi është ndarë nga jeta dhe nuk duhet të flasim për të. Jo, duhet të flasim. Megjithatë nuk kam thënë se Faketi ka bërë ndonjë krim: kur shpërtheu ‘Calciopoli’ dikujt i interesonte të thoshte ‘këta janë të këqijtë’, por në të vërtetë të tillë nuk ka”.
Avokatët e “Big Luçianos” paraqitën në gjykatë 74 regjistrime telefonatash, në mënyrë që të hidhte poshtë tezat e akuzës. Shumë prej tyre u shpërndanë nëpër media, fillimisht të transkriptuara dhe më pas të regjistruara. Në anën tjetër, akuza në Napoli do të këmbëngulë që të provojë fajësinë e ish-drejtuesit bardhezi, duke u mbështetur te telefonatat “dinake”, e thënë ndryshe, bisedat me gjyqtarët nëpërmjet linjave telefonike të papërgjuara. Një pjesë e rëndësishme e akuzës bazohet te kartat telefonike jo italiane që Moxhi ua kishte shpërndarë zyrtarëve të sektorit të arbitrave. Por, ai mbrohet duke thënë se “zotërimi i një karte telefonike zvicerane nuk përbën krim”. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit nuk e shpjegoi qëllimin e apelimit për kartat e huaja, ndërsa sipas avokatëve të tij, komunikimi i rezervuar ishte zgjedhur për të diskutuar rreth merkatos. “Në këtë mes nuk ka fajtorë”, nënvijëzoi Moxhi. “Bëhet fjalë vetëm për disa njerëz që punonin për interesat e klubit që përfaqësonin. Ky nuk ishte ‘sistemi Juventus’, por një mënyrë jetese (un modus vivendi) ku Franko Karraro jo vetëm që fliste, por jepte edhe direktiva”. Një akuzë e drejtpërdrejtë kjo për ish-presidentin e federatës, i cili dha dorëheqjen në vitin 2006.
Gjykata e Shkallës së Parë në Napoli ka dënuar me tri vjet burg ish-administratorin e Juventusit, Antonio Xhiraudo, pas gjykimit të përshpejtuar. “Xhiraudo gaboi që kërkoi gjykim të përshpejtuar, ishte qëndrimi i Moxhit. Ai ndodhej në Angli dhe kërkonte që kjo situatë të zgjidhej sa më shpejt. Por problemet nuk zgjidhen me nxitim”.