Merkatoja e verës së kaluar ishte më e “çmendura” në historinë e futbollit. Shumë prej yjeve të globit ishin pjesë e fushatës më të shtrenjtë të transferimeve.
Reali i Madridit shpenzoi gjithsej 254 milionë euro për të sjellë në “Bernabeu”
Kristiano Ronaldon, Kakanë, Ksabi Alonson dhe Karim Benzeman me synimin për të fituar Ligën e Kampionëve. Rezultati: eliminimi që në 1/16-at. Po ashtu, Barcelona dhe Interi u përfshinë në një marrëveshje 64 milionëshe, duke shkëmbyer Samuel Etonë dhe Zllatan Ibrahimoviçin.
Juventusi harxhoi jo pak në brazilianët Diego (24.5 milionë euro) dhe Felipe Melo (25 milionë euro), ndërkohë që pasanikët e Mançester Sitit shpenzuan pa masë për të sjellë në “Eastland” sulmuesit Karlos Tevez dhe Geret Berri. Portofoli u hap edhe në kampionate të tjera europiane: Gjermani, Francë dhe Hollandë.
Në fakt, jo të gjitha transferimet rezultuan të goditura. Madje një pjesë e mirë e tyre kanë dështuar plotësisht. Tashmë çdo president klubi, lojtar apo trajner, dorëzohet para faktit që blerja e tyre e shtrenjtë nuk arrin të përshtatet me skemat e lojës së ekipit. Nga 12-17 prilli do të bëjmë një pasqyrë të 10 transfertave më të dështuara në kampionatet kryesore europiane.