15 prill 2010

Përgjimet e reja - Federata Italiane, gati për “Calciopoli 2″

Edhe pak kohë (nuk dihet sa me saktësi), me disa detaje që duhen sqaruar (pas dorëzimit të 75 përgjimeve të analizuara), dhe më pas Federata Italiane e Futbollit do të jetë gati për të hapur një hetim të ri pikërisht në bazë të fakteve të reja që do të marrë në dorëzim. Kështu, pritet të fillojë punën e saj drejtësia sportive dhe vetëm në këtë pikë pritet të vijë reagimi i Juventusit që do të kërkojë heqjen e kampionatit 2005-06 që i është dhënë Interit.

Gjithashtu, nuk përjashtohet që klubi bardhezi të kërkojë rishqyrtimin e gjyqit sportiv, por kjo duket shumë e vështirë. Megjithatë, është e qartë se vendimet që janë marrë në 2006-ën nuk mund të ndryshohen. Lind pyetja se çfarë do të kishte ndodhur nëse telefonatat e zbuluara do të kishin përfunduar në duart e prokurorit, Françesko Saviero Borreli. Për momentin drejtësia sportive është e vendosur të lëvizë shpejt dhe në javët e ardhshme do të ketë të tjera surpriza.