Ish-presidenti i Interit, Faketi fton ish-përcaktuesin e arbitrave të tërheqë një dhuratë në Milano
Nuk janë shtatëdhjetëepesë, siç është thënë në seancën gjyqësore. Lista e re e përgjimeve që është pranuar në gjyqin e “Calciopoli”-t është e përbërë nga 74 telefonata. Midis tyre ndodhet edhe telefonata e “dhuratës” së famshme që duhej të tërhiqej tek “zyrat e Moratit”, që ka dalë më parë në kronikat televizive dhe në gazeta pa zbuluar emrin e klubit që ishte përfshirë. Faketi i ka thënë Bergamos: “Nëse kalon këtej një ditë…”.
Duke e ftuar të shkojë në “zyrat tona, në Milano, sepse Morati ka një dhuratë për të të dhënë”. Kjo telefonatë është bërë në prag të Krishtlindjes më 23 dhjetor 2004. Eshtë Interi që ka numrin më të madh të telefonatave. 41 herë del emri i Xhiaçinto Faketit (ka kontaktuar me Bergamon, De Santis, përcaktuesin e arbitrave anësorë Macein, zëvendëspresidentin federal Macinin, sekretarin e atëhershëm të federatës italiane Françesko Girelin, presidentin e Shoqatës së Arbitrave Italianë Lanezen).
Më pas takimi për një darkë në shtëpinë e Bergamos kur Interi ka luajtur në Livorno. Në fund tri telefonatat që përcaktuesi i arbitrave i ka bërë Moratit dhe që janë publikuar në ditët e kaluara. Më pas vjen Milani me tetë telefonata nga Galiani (Paireto, Macei dhe ajo ku Bergamo “kërkon ndihmë”). Në vend të tretë vjen Palermo. Drejtori sportiv Rino Foski flet me Paireton shtatë herë dhe dy herë me De Santis. Tri telefonata janë të presidentit të Kaljarit, Çelino (një me Bergamon dhe dy me Paireton), që janë zbuluar pjesërisht.
Eshtë edhe një telefonatë e Spaletit, kur drejtonte Udinezen, me Bergamon, edhe kjo është bërë publike para seancës gjyqësore, ndërsa në 2004-ën është zhvilluar një telefonatë midis drejtorit sportiv të verdhekuqve Prade me zëvendëspresidentin Macini, i ndëshkuar në gjyqin sportiv për rolin e tij në “konspiracionin” e supozuar, që ka patur të bëjë mbi të gjitha me skuadrat që rrezikonin rënien nga kategoria, para ndeshjes Atalanta-Roma ku verdhekuqtë kanë shpëtuar falë një goli të Kasanos.
Ja teksti i telefonatës
Faketi: Nëse i telefonon Moratit.. kam qenë aty, edhe dje tek ai… kemi folur.
Bergamo: Unë nuk e kam më numrin e tij, nëse ti ma jep… në fakt e kujton… kishim folur për këtë.
Faketi: Po sepse donte… nëse kalon këtej një nga këto ditë…
Bergamo: Po ku është?
Faketi: Në Milano, nëse të rastis të kalosh këtej sepse kishte një dhuratë për të të dhënë.
Bergamo: Doja të flisja me të, madje doja të takohesha me ju, edhe për të diskutuar disa gjëra bashkë.
Faketi: Shumë mirë.
Bergamo: Eshtë një situatë që do të doja t’ju ndihmoja edhe unë për ta rregulluar… sepse skuadra nuk meriton pozicionin në të cilin ndodhet… .
Faketi: Kanë qenë dymbëdhjetë barazime të pabesueshëm.