14 prill 2010

Calciopoli, betejë në sallë, më 20 prill vendoset gjithçka

Telefonatat e ish-presidentit të Interit me Bergamon: “Më sill Kolinën”

Seanca vendimtare për procesin e ashtuquajtur “Calciopoli II” shtyhet për më 20 prill. Atë ditë do të dëgjohen 75 telefonatat e transkriptuara që mund të ndryshojnë historinë e kësaj çështjeje dhe gjithashtu do të dëgjohet edhe Karlo Ançeloti si dëshmitar.

Përplasje në “Calciopoli II”: avokati i Luçiano Moxhit, Trofino, lexon në sallë telefonatën e Xhaçinto Faketit, atëherë president i Interit dhe shefit të gjyqtarëve, Bergamo, në të cilën “i flet për rrjetin e gjyqtarëve, sipas Trofinos, që është edhe ‘nëna’ e të gjitha telefonatave”. Në fakt Xhaçinto Faketi i thotë Bergamos: “Më sill Kolinën”. Edhe atëherë presidenti i Interit fliste për një rrjet gjyqtarësh. Gjatë seancës avokati Trofino ka cituar një telefonatë, që nuk u përket atyre, të cilat janë transkriptuar dhe përdorur në hetimin e 26 nëntorit të 2004-s, ku në të drejtuesi zikaltër bisedon me ish-disenjatorin Bergamo. Faketi: “Po të dielën?”. Bergamo: “Do të bëjmë një grup ndërkombëtarësh (gjyqtarë të FIFA-s), kështu që nuk rrezikojmë asgjë”. Faketi: “Mirë, fut mes tyre edhe Kolinën”. Më pas avokati ka kërkuar llogari se përse kjo telefonatë nuk është marrë në konsideratë nga hetuesit. “Biseda mes Bergamos dhe Faketit, ka replikuar koloneli Aurikio, është regjistruar dhe transkriptuar, por ishte pjesë e hetimeve, sepse nuk u konsiderua si e dobishme”. Vetë Faketi ka shkuar disa herë në shtëpinë e ish-disenjatorit Bergamo: këtë e ka thënë koloneli Aurikio, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Luçiano Moxhit, Trofino, gjatë procesit “Calciopoli II”. Aurikio ka thënë se e dinte që presidenti i atëhershëm i Interit kishte shkuar në shtëpinë e ish-disenjatorit në disa raste të pasaktësuar si duhet. “Nëse më pyet për Faketin, më rezulton. Por për Moratin jo”. Seanca ka qenë me shumë pyetje përgjigje, me shumë momente nervozizmi. Luçiano Moxhi është kundër të gjithëve. Ai, për të shpëtuar veten, është gati të fundosë të gjithë. Kështu që dje skena i është rezervuar hakmarrjes së tij, që mund të quhet Calciopoli II. Numri i gazetarëve, fotografëve dhe operatorëve televizivë është i njëjtë me atë të zhvillimit të një ngjarjeje të madhe. Avokatët e ish-drejtorit të Juves e kishin karikuar publikun gjatë ditëve të kaluara, duke folur për disa biseda telefonike, që nuk janë marrë parasysh nga hetimet, duke tërhequr në valle të gjitha skuadrat e mëdha, përveç Romës. Sipas avokatëve të Moxhit, këto përgjime shërbejnë për të demonstruar se hetimet janë zhvilluar në mënyrë të pjesshme, me synimin për të kryqëzuar Juventusin dhe për të mbajtur jashtë klubet e tjera. Sipas tyre, në këtë valle ishin përfshirë thuajse të gjitha klubet. Prokurorët Xhuzepe Narduçi dhe Stefano Kapuano nuk mendojnë kështu. Sipas tezës së tyre, elementet e çështjes Moxhi nuk janë të krahasueshme me telefonatat e publikuara nga avokatët e tij gjatë javëve të fundit. Por mbrojtësit e Moxhit kanë kërkuar zbardhjen e telefonatave dhe kjo është miratuar për t’u bërë publike për seancën e 20 prillit. Ajo që duhej të ishte një seancë e zakonshme rutinë, është kthyer në një ngjarje mediatike. Pritet rihapja e çështjes së ashtuquajtur tashmë “Calciopoli II”. Ndërkohë që vetë skuadra e Juventusit mbështet linjën e Moxhit, pasi Calciopoli I i ka kushtuar dy tituj dhe rënien në Serinë B.