Tension në sallë me rihapjen e procesit. Dalin telefonata të reja, ku akuzohet Interi. Seanca tjetër më 20 prill
U mbyll në orën 14:50 seanca e Napolit e procesit “Calciopoli”. Në atë që ishte konsideruar një etapë vendimtare, avokatët e Luçiano Moxhit kërkuan marrjen dhe vlerësimin nga ana e gjykatësit të 75 telefonatave. Momenti më kyç ishte dëshmia e kolonel Aurikios, që konfirmoi një takim mes ish-presidentit të Interit Xhiaçinto Faketi (nuk jeton më) dhe ish-përcaktuesit të gjyqtarëve Paolo Bergamo në shtëpinë e këtij të fundit. Procesi do të rifillojë më 20 prill.
Të gjithë dje prisnin një “betejë” në Gjykatën e Napolit. Dhe “betejë” ishte. Në sallën 216-të ishte programuar seanca e parë e procesit “Calciopoli 2″, ku janë dëgjuar deklarata të ditëve të fundit të Luçiano Moxhit dhe avokatëve të tij, duke dhuruar surpriza dhe ndryshuar ndoshta historinë e procesit. Avokatët e ish-drejtorit të përgjithshëm të Juventusit donin të tregonin që nuk ekzistonte një “Kupolë”, por një zakon i keq italian për t’u telefonuar krerëve të gjyqtarëve.
Për të arritur këtë qëllim, Paolo Trofino, Maurilio Prioreski vendosën para një provimi të vështirë pyetjesh toger-kolonelin e karabinierëve Atilio Aurikio, hetuezi që ka drejtuar hetimet mbi përgjimet. Kishte momente të mëdha tensioni, me ngritje zëri nga protagonistë të ndryshëm në sallë, që në më shumë se disa raste e kaluan cakun, duke e detyruar gjykatësen Tereza Kasoria t’u tërheqë vëmendjen disa herë. Procesi do të rikthehet të vijojë pas një jave dhe në atë datë do të dëgjohet mes të tjerëve trajneri aktual i Çelsit, Karlo Ançeloti.
STRATEGJIA Strategjia mbi mbrojtjen ishte e qartë: të tregohej që hetimet kanë qenë që nga fillimi të shënjestruara vetëm ndaj Moxhit dhe kundër Juves, duke i lënë mënjanë drejtuesit e klubeve të tjerë që u telefononin përcaktuesve të gjyqtarëve dhe krerëve të federatës. Për të çuar para planin e tyre, avokatët e Moxhit, i kërkuan para së gjithash kolegjit të gjyqtarëve të zbardhnin 75 telefonata deri tani të panjohura për publikun. Telefonatat u referohen bisedave mes të hetuarve, mes të cilëve ish-përcaktuesit e gjyqtarëve, Paolo Bergamo dhe Luixhi Paireto, nga ana e drejtuesve të ndryshëm të klubve të futbollit. Çështja u detajua nga avokat Prioreski. Mbrojtja kërkoi edhe marrjen e rreth 3 mijë kontakteve telefonike nga ana e drejtuesve të klubeve. Gjykata ftoi mbrojtjen e Moxhit të sjellë material për seancën e ardhshme.
PROKURORIA - Me hapjen e seancës, para se të thirrej në sallë kolonel Aurikio për të dëshmuar, Prioreski vazhdoi me kërkesën e telefonatave të cilësuara “domethënëse deri në kufijtë e ushtrimit të mbrojtjes”. Sipas tij, u evidentua, ndryshe nga sa është thënë prej Prokurorisë federale, që “dreka e darka hanin të gjithë, takimet me përcaktuesit e gjyqtarëve i bënin të gjithë, për gjyqtarë flisnin të gjithë”. Vendimi pra për të marrë telefonatat nën hetim është i sigurt. Në mbyllje të seancës edhe Prokurori i çështjes, Xhiuzepe Narduçi, doli në favor të dëgjimit të telefonatave, “në mënyrë që të hetohen në mënyrë të besueshme dhe kështu mund të arsyetojmë mbi të dhëna të vërteta”.
TELEFONATAT “E INKRIMINUARA” - Avoakëtët e Moxhit u përqendruan para së gjithash mbi marrëdhëniet mes presidentit të atëhershëm të Interit Xhiaçinto Faketi dhe përcaktuesit të gjyqtarëve Paolo Bergamo. Sipas Prioresit e Trofinos, edhe ish-drejtuesi zikaltër fliste për caktime gjyqtarësh. Trofino citoi një telefonatë, që nuk u përket atyre që janë zbardhur deri tani në shtypin italian të 26 nëntorit 2004, ku drejtuesi zikaltër bisedon me Bergamon. Faketi: “Atëherë për të dielën?”. Bergamo: “Krijojmë një grup ndërkombëtarësh (gjyqtarësh), kështu nuk rrezikojmë gjë”. “Faketi: “Mirë, vendos edhe Kolinën”.
Penalisti i kërkoi dëshmitarit pse kjo telefonatë nuk është konsideruar nga hetuesit e vlefshme në hetimet e “Calciopolit 1″. “Biseda mes Bergamos dhe Faketit, - replikoi kolonel Aurikio, - është regjistruar dhe zbardhur, por nuk është informuese, sepse nuk u konsiderua në mënyrë investigative e vlefshme”.
Ish-përcaktuesi i gjyqtarëve Bergamo: Në darka nuk bëheshin pazare!
Më duket se isha bërë ai që që organizoja darkat”. Këto janë fjalë të ish-përcaktuesit të gjyqtarëve Paolo Bergamo në fund të seancës së Napolit: “Unë isha në vitin tim të shtatë dhe të fundit të punës dhe kisha vendosur me gruan time, që kur Milani, Interi e Juventusi të vinin në Livorno për të luajtur, do t’i ftonim për darkë për të takuar miq të vjetër si Galiani e Moxhi, - shpjegon Bergamo.
- Kështu bëra edhe me Interin dhe me Faketin, kështu bëra edhe me Milanin e Galianin, që gjithsesi e refuzoi ftesën dhe të njëjtën gjë bëra në fund të kampionatit me Juventusin, duke ftuar në atë rast edhe Maxinin (drejtues i federatës). Bergamo thekson se ishte ai që i organizonte darkat, që “në tryezë nuk bëheshin pazare, por shijohej vetëm darka. Për më shumë do të doja të kujtoja që rregullorja nuk e ndalonte, duke parë që telefoni im kontrollohej nga Federata”.
Reagon ashpër djali i Faketit “Emrin e Kolinës e citonte Bergamo”
Falsifikim i rëndë i fakteve, i turpshëm dhe i papranueshëm, përveç se i dëmshëm për kujtimin e babait tim”. Përmes një komunikate, Xhianfeliçe Faketi, djali i Xhiaçintos, komenton telefonatën e përvetësuar për t’u analizuar nga Gjykata e Napolit, ku babai i tij fliste atëherë me përcaktuesin e gjyqtarëve Bergamo. “Është bërë një interpretim ndryshe nga realiteti i gjërave, ku referohet babai im, me fjalë të thëna nga Bergamo. Në një bisedë të tillë, babai tim i atribuohet se paska thënë emrin e zotit Kolina, gjë që në të vërtetë, duke dialoguar e bënte Bergamo.
Në vijimësi, del një interpretim plotësisht ndryshe nga realiteti, i përdorur mes të tjerash nga avokatët e zotit Moxhi në sallë dhe i njoftuar me papërgjegjshmëri nga organet e shtypit”. Në fund, djali i Faketit shkruan: “Duke pasur besim maksimal te drejtësia, familja e Xhiaçinto Faketit, u kërkon të gjitha organeve kompetente, sportive dhe jo, të marrin një qëndrim të vendosur dhe përcaktues për sa i përket kësaj çështjeje jo të denjë”.