02 shkurt 2011

Toni: Van Gaal është i çmendur

Sulmuesi i Juventusit, Luca Toni, ka akuzuar rëndë trajnerin e Bayernit të Munichut Louis van Gaal, duke thënë për holandezin se është i çmendur dhe se nuk di të trajtojë si duhet lojtarët e tij.

“Unë kurrë nuk kam parë dikë si ai më parë. Më kujtohet kur ai njëherë tentoi të na qartësonte se nuk ka frikë për të lënë në pankinë të ashtuquajtur ‘emrat e mëdhenjë’. Ai thjeshtë zhveshi pantallonat për të na treguar se i ka testisët për ta bërë këtë. Fatmirësisht, unë nuk kam qenë përpara dhe nuk kam parë asgjë”.

“Ai është trajner i çmendur i cili nuk di si t’i trajtojë lojtarët e tij. Djemtë si ai dhe Felix Magath u takojnë trajnerëve të një gjenerate tjetër dhe nuk mund t’ia dalin me mënyrën se si lojtarët sillen ditëve të sotme. Lojtarët modernë duan të komunikojnë me trajnerin e tyre, por kjo është e pamundur me Van Gaal. Gjithçka duhet të shkojë ashtu siç dëshiron ai”.

“Ai gjithmonë ka kërkuar që të gjithë të qëndrojnë të ulur derisa të gjithë të kenë përfunduar mëngjesin. Sidoqoftë, italianët vetëm pinë kafe për mëngjes dhe kështu unë përfundoja herët për ta akomoduar veten. Trajneri vinte pas meje dhe më bërtiste, duke më kthyer prapa. Ai më tha se ai është shefi dhe se nëse diçka nuk më pëlqente, mund të largohem”, deklaroi Toni për Sport Bild.