
Një lavazh, ndoshta diçka më shumë. Përballja kokë më kokë në Vivino mes presidentit të Juventusit, Andrea Anjelit, dhe një skuadre, të cilën vetë numri një i bardhezinjve e kishte përkufizuar të topitur pas humbjes me Leçen, ka rihapur debatin për një tjetër revolucion të mundshëm. Nuk do të ishte lajm i ri, duke marrë në konsideratë të shkuarën e afërt në hije të skuadrës, ku pas lustrove të fundit, zgjedhjet e klubit dhe logjika nuk kanë ecur në të njëjtin hap. Për të mos folur për trajnerët: një Xhixhi Delneri, i ardhur në Torino me perspektivën e lavdisë pas aventurës brilante sampdoriane, nuk i ka shpëtuar numrit të teknikëve të afruar në pankinën bardhezi nga 2006-a e më pas: Deschamps, Ranieri, Ferrara, Zakeroni dhe tashmë ai, i destinuar të shndërrohet në rrufepritës siç u ndodhi paraardhësve, nëse barka nuk do të drejtohet si duhet. “Calciopoli” dhe dy titujt e hequr bënë ndarjen në mes të një klubi të diskutueshëm, por fitues, dhe të gjithë asaj që vjen më pas.
Duke u nisur nga synimet e mira të presidentit Coboli Xhilji dhe administratorit të deleguar Zhan Klod Blank, të cilët morën meritën për t’i besuar Deshampit Juventusin e parë të historisë së Serisë B, por edhe të metën që e lanë të ikte. Nuk ishte më pak zgjedhja e Ranierit për rikthimin në Serinë A: një vend i tretë në kampionat dhe një i dytë provizorisht në sezonin pasardhës, kushedi se pse, shtynë drejtuesit të zgjedhin largimin e trajnerit romanit. Që aty, ikjet dhe eksperiencat e pafata të Ferrarës e Zakeronit, të kulminuara me moskualifikimin në Champions.
I domosdoshëm ishte një zhvillim i ri: lamtumirë drejtorit sportiv Alesio Seko, i cili në Torino kishte sjellë lojtarë si: Tiago, Almiron, Kriskito, Diego, Felipe Melo, Amauri, që kurrë nuk ishin në sintoni me ultrasit bardhezinj. Dhe vjen Bepe Marota drejtor i përgjithshëm, dhe mbi të gjitha vjen edhe rikthimi i një Anjeli në poltronin e presidentit. Deri këtu, më shumë zhgënjim sesa kënaqësi, dhe ndonjë problem për t’u zgjidhur, si rinovimi i kontratës së Del Pieros, Flamurit të fundit. Ndoshta Juve po shkon poshtë e më poshtë, si kurrë në historinë e tij. /JUVENEWS.TK/