23 shkurt 2011

Anjeli shfryn ndaj Juves: Nuk bëtë as dush!

Presidenti vizitoi dje skuadrën në Vinovo dhe pas humbjes me Leçen kërkon ndryshimin e kursit

Ashtu siç ishte parashikuar Andrea Anjeli ka shkuar në Vinovo për të mbajtur një mbledhje pas ndeshjes në Leçe, në të cilën Juventusi humbi 2 0. Presidenti bardhezi u paraqit dy ditë pas asaj humbjeje të turpshme nën shoqërinë e administratorit të deleguar Bepe Marota dhe këshilltarit të administratës Pavel Nedved.

Ky nuk ishte vetëm një takim, por edhe një “ujdisje punësh” që zgjati më shumë se 40 minuta, teksa Anjeli rikonfirmoi pikërisht ato çka deklaroi të hënën. Përpara se të linte qendrën stërvitore presidenti ka ndjekur dhe një pjesë të mirë të seancës stërvitore.

Pavarësisht se kaluan më shumë se 48 orë nga disfata e shëmtuar e Leçes, Andrea Anjeli është shumë i zhgënjyer duke thënë me ironi: “Lojtarët tanë nuk kanë vrapuar fare, të mendosh që as dush nuk kanë bërë.

Tashmë na mbetet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse pas një viti do të kemi të njëjtat pikë atëhere me të vërtet do të ishim në telashe”. Më pas ky i fundit hodhi poshtë zërat që qarkullojnë për një shkarkim të Del Nerit:

“Stafi teknik dhe skuadra janë të bashkuar. Nga ana ime, por edhe e gjithë tifozëve ka një zhgënjim si për rezultatin ashtu edhe për paraqitjen që bëmë. Skuadra që zbriti në fushë ishte po ajo që luajti ndaj Interit, kështu që formacioni ishte optimal.

Duhet të rritemi në këtë pikë dhe të bëhemi të ndërgjegjshëm që sa herë që zbresim në fushë duhet të japim maksimumin. Del Neri nuk e ka shkarkuar nga vetja përgjegjësinë e paraqitjes së dobët të lojtarëve.

Në shoqërinë drejtuese duke filluar që nga unë dhe gjithë stafi teknik apo drejtues ekziston një grup i bashkuar që e ka mëse të qartë se cilat janë objektivat ambiciozë që duhen arritur”, shtoi më tej ai.

Një rikrijim tjetër ekipi në dukje? “Nuk ka asnjë plan për të rikrijuar gjithçka nga e para. Verën e shkuar nisëm një punë shumë të rëndësishme dhe kemi më shumë se gjysmën e pjesës tjetër të punës për ta shpalosur verën e ardhshme.

Po të flasim për vitin që sapo lamë pas e dinim se duhej të rregullonim një situatë mjaft delikate. Duhet t’u ushqejmë lojtarëve një mentalitet, të cilin unë dhe tifozët e kemi për zemër pasi duam që në çdo ndeshje ata të zbresin në fushë me idenë që do japin maksimumin”. Më pas Anjeli foli për rinovimin e kontratave të Del Pieros dhe Markizios:

“Del Piero e di që është i mirëpritur në këtë klub, do të jetë pikërisht ai që do na thotë nëse do vazhdojë me ne apo jo. I njëjti diskutim vlen edhe për Markizion, të cilit edhe pse i ka mbetur edhe një vit kontatë e ka të hapur derën për të nënshkruar edhe për disa vite të tjera.

Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, një juventin i vërtetë, një lojtar që përjeton çdo ndeshje dhe vuan njësoj si unë apo tifozët. Ai e ka mëse të qartë se çdo të thotë të përfaqësosh bluzën e Juventusit, çdo të thotë të kesh 12 milionë tifozë që të ndjekin, tek shkon në Leçe e sheh një tribunë të tërë që thërret Juve duke të ndjekur në çdo hap, në çdo provincë italiane”.
/JUVENEWS.TK/