26 shkurt 2011

“La Gazzetta Dello Sport”

Mirupafshim Europë!

Po Bajerni i Mynihut e meritoi apo jo suksesin në minutën e fundit kundër Interit në “San Siro”? Van Gal nuk dyshon për këtë, ndërsa Leonardo nuk është dakord, me të drejtë, duke parë rastet e shumta të zikaltërve. Të gjithë janë në krah të teknikut holandez, duke i njohur kërkimin e vazhdueshëm për të ndërtuar aksione radhazi dhe për të kërkuar fitoren për 90 minuta.

Atëherë, “Mirupafshim Europë”. Ose ndoshta lamtumirë. Duke ndjekur shembujt e këqinj të Milanit dhe Romës, që humbën në shtëpi, edhe Interi është mundur si ata dhe është kapur mbas shpresave të vogla për një mrekulli në ndeshjen e kthimit.

Por ndërkohë futbolli italian ka bërë një tjetër figurë të keqe, me tri humbje në tri ndeshje. Pavarësisht nga emri i madh i kundërshtarit, të mundur në finalen e fundit të Championsit, rënia e zikaltërve ka qenë më e zhurmshme.

Zaneti me shokë, janë kampionët e Europës në fuqi, edhe pse nuk duket kështu nga mënyra se si luajnë, dhe vuajnë, nga fillimi deri në fund, kur Bajerni ka gjetur golin e një fitoreje të merituar, e treta në “San Siro” kundër zikaltërve në po aq ndeshje në kupat europiane.

Më i freskët, më në formë, por mbi të gjitha më skuadër se Interi Bajerni ka legjitimuar në fushë rolin e favoritit, që i kanë dhënë para ndeshjes, sepse është përmirësuar në krahasim me humbjen e Madridit.

Ndërsa, skuadra zikaltër, përveç se humbi Mourinjon, nuk ka më Militon dhe Samuel dhe në Champions nuk mund të aktivizojë Pacinin, i preferuar para Matrit që do të mund të kishte luajtur.

Edhe pse Interi është skuadra me më shumë lojtarë të huaj, kjo është një tjetër humbje e futbollit italian në përgjithësi, ose e nivelit të Serisë A. Rastësisht, Interi i Leonardos që kishte shënuar gjithmonë dhe fituar në “San Siro” në 6 ndeshje nga 6, sapo përballet me një skuadër europiane bllokohet, pa shënuar dhe pa mbrojtur as një barazim 0-0.
/JUVENEWS.TK/