Sulmuesi bardhezi e ka nisur karrierën e tij në Garfinja si mbrojtës i krahut të djathtë
Pak më shumë se 2500 banorë, në mes të kodrave dhe fushave. Rrugët janë pothuajse të shkretuara, heshtja e fshatit, traktorët që qarkullojnë nëpër rrugë si të ishin biçikleta. Në Grafinja, krahinë e Lodit, 40 kilometra nga jugu i Milanos, Alesandro nuk është kampioni i vetëm. Grafinja është edhe atdheu i “Galos”, ose më saktë Danilo Galinarit, ylli i NBA-së i rritur në një shtëpi pak jashtë qytezës.
Heronj të një bote të thjeshtë, ku të gjithë njihen dhe fotografitë e kampionëve janë të vendosura me krenari në lokale dhe restorante. Matri është rritur këtu, midis goditjeve të topit dhe garave (të fituara) në biçikletë. Në shkollë? Një djalë i turpshëm, i edukuar. Nga ata që për shokët janë gjithmonë të pranishëm.
Tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme i ka mbaruar në këtë qytezë. Shokët e gjimnazit kërkojnë të organizojnë çdo vit një darkë për t’u ribashkuar. Por çdo vit është e njëjta histori: “ta organizojmë kur të jetë edhe Alesandro”. Ai kthehet shpesh atje.
Takohet me miqtë e përhershëm, ulet në lokalin e qytezës. Nuk ka harruar asnjeri dhe për një gjë janë të sigurtë të gjithë: “Karakteri është ai i një grafinjani të lindur”.
SHTEPIA MATRI - Babai Luixhi, mamaja Pinuçia dhe vëllai Alberto janë krenarë se si vendosmëria e tij e ka çuar deri te kombëtarja e Italisë: “Eshtë gjithmonë i bindur për atë që bën, - ka thënë Luixhi, një shitës i qytetit. - Kujtoj kur luante te të rinjtë e Milanit shpesh qëndronte jashtë skuadrës, sepse ishte shumë i dobët fizikisht.
Trajneri Frixherio më thoshte: “Ndonjëherë nuk e aktivizoj për shkak se kam frikë se mos dëmtohet”". Sipas babait, forca e tij ka qenë eksperienca: “Në Rimini ishin Handanoviç, Rikiuti, Zheda dhe Moskardeli: me eksperiencë që sot po tregojnë vlerat e tyre në Serinë A. E ndihmuan të bëhet ai që është sot”.
GODITJET E PARA - Karriera e Matrit fillon nga skuadra e Virtus Don Bosko, në të cilën ka qenë më i vogli i grupit. Thuhet se luante si mbrojtës krahu, por Antonio Bergomi, trajneri i tij i parë, ka saktësuar: “Ka ndodhur vetëm një herë, në ndeshjen e parë.
Në atë kohë ishte shumë i shpejtë, por në sulm luanin më të mëdhenjtë, kështu që mendova ta vë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Më pas nga ndeshja e dytë, për shkak të një mungese, ka luajtur në sulm, dhe menjëherë gjërat kanë ndryshuar.
I thosha gjithmonë skuadrës: kur të jeni në vështirësi hidheni topin përpara, sepse Matri është më i shpejtë se çdo mbrojtës”. Por akoma sot ajo ditë si mbrojtës krahu shkakton të qeshura: “Të hënën ka kaluar këtej, - ka vazhduar Bergomi, - është ndalur te lokali i zakonshëm, dhe më ka thënë: dhe të mendosh se ti më ke bërë të luaj në mbrojtje…”.
Lokali i qytetit është vendi ku takohet me shokët, ata që e quajnë “Puma”. Në këtë lokal është bërë festa në ditën e debutimit të tij në Serinë A, më 24 maj 2003. “Ishim të gjithë të emocionuar, - ka thënë Ivan. - Ndeshja ka shkuar keq (Piaçenca-Milan 4-2), por të shikonim Alesandron në fushë ka qenë një ndjesi e bukur”. /JUVENEWS.TK/