25 shkurt 2011
Zyrtare, Italia humbet ekipin e katërt në Champions
Me humbjen e të trija skuadrave në Ligën e Kampionëve dhe eliminimin e Napolit nga Liga e Evropës, duke nisur nga sezoni 2012-2013, Italia do të dërgojë në Champions vetëm tre ekipe.
Vendi i katërt i kalon Gjermanisë, që tashmë ka kampionatin e tretë më të fortë në kontinent.
Prej kohësh Bundesliga ishte në avantazh ndaj Serisë A, por ndeshjet e fundit sollën edhe konfirmimin matematikor. Zyrtarizimi erdhi në bazë të renditjes së UEFA-s, që merr parasysh paraqitjen e skuadrave në secilin kampionat evropian gjatë pesë viteve të fundit.
Skuadrat gjermane, në këtë periudhë kohore kanë shkuar më larg në garat europiane. Ndonëse italianet kanë pasur një ecuri më të mirë në Champions, paraqitja në Ligën e Evropës është e pakrahasueshme.
Ndërsa ato gjermane kanë avancuar rregullisht midis katër më të mirave ose deri në finale, ato italiane e kanë pasur të vështirë të kalojnë edhe fazën e grupeve. Në sezonin aktual, Palermo, Juventusi dhe Sampdoria nuk e kaluan dot grupin. Një gjë të tillë e bëri vetëm Napoli, me shumë vështirësi. Por edhe ekipi napolitan i dha lamtumirën Evropës pasi u eliminua të enjten mbrëma nga Vijarreali.
Në bazë të renditjes së UEFA-s, tre kampionatet e parë dërgojnë katër skuadra në Ligën e Kampionëve (tri direkt dhe një në play-off). Kampionatet në vendet 4-6 kualifikojnë tri skuadra (dy direkt e një në play-off) dhe ato nga vendi 7-15 nga dy ekipe. Shqipëria ka aktualisht kampionatin e 43-të më të fortë të Evropës.
Renditja e UEFA-s për kampionatet evropiane (shifra tregon pikët e mbledhura në 5 vitet e fundit):
1. Premier Liga (Angli) 82.9
2. Primera Divizion (Spanjë) 77,3
3. Bundesliga (Gjermani) 68,1
4. Seria A (Itali) 59,9
5. Divizion 1 (Francë) 53,5
6. Liga Sagres (Portugali) 44,5
------------------------
/JUVENEWS.TK/