Edhe anësori i Interit, tani te Çezena, në planet e Marotës, që synon edhe Xhilën e Bastos
Shoping në Milano. Është kjo ideja me të cilën Bepe Marota po arsyeton rreth sezonit të ardhshëm që ende duket larg. Në përfundim të dimrit dhe fillim të pranverës skuadrat fillojnë të planifikojnë të ardhmen e tyre: kështu lindin dy ose tre projekte te ndryshme, dhe në muajt e ardhshëm zgjidhet ai përfundimtar.
Nga hipotezat e ditëve të fundit nga drejtuesit e Juves kryeson ajo e një merkatoje në qytetin e Milanos, ku synohen dy objektiva të saktë: Andrea Pirlo dhe Davide Santon. Normalisht bëhet fjalë për dy tipa të ndryshëm investimesh:
Pirlo, lojtari me karrierë të gjatë, një lojtar klasi, që pavarësisht moshës garanton rendiment për të ardhmen. Por klubi është i shqetsuar pasi po pret me ankth tratativat për një rinovim të lojtarit me Milanin pasi nëse mesfushori firmos atëhere çështja ndryshon.
Santon nga ana tjetër duket se është më i disponueshëm për planet e Anjelit pasi është i ri, italian dhe tepër i motivuar. Nga Interi ky mbrojtës thuajse është përjashtuar, ndërkohë që Çezena për të është një udhëkryq midis kësaj skuadre dhe karrierës si zikaltër.
Në qershor do të jenë vetëm dy opsione: ose do të kthehet në Apiano Xhentile për t’u stërvitur ose do të ndryshojë ekip përfundimisht. Juventusi kishte tentuar ta merrte Santonin që në janar, por tratativat dështuan pasi Interi kërkonte në këmbim Markizion.
Edhe pse duket një diskutim i mbyllur ai mund të rihapet në verë, teksa Juventus mund t’u ofrojë zikaltërve një nga dy alternativat që ata kërkojnë: Sisokon ose Melon. Por Juventusi nuk mendon ta mbyllë merkaton vetëm me dy blerje.
Në planet e bardhezinjve qëndrojnë dhe Bastos i Lionit si edhe sulmuesi i vjollcëve, Xhilardino. Juventusi i ardhshëm pritet të jetë më agresiv në sulm, teksa skema mund të ndryshojë fytyrë nga 4-4-2 në 4-3-3, që shumë mirë mund t’u përshtatet tipareve të lojtarëve si Krasiç dhe Kualjarela.
Nga Spanja vijnë zëra se klubi interesohet për 2 lojtarët e Realit, Gago dhe Diarra, në rast të marrjes së njërit prej tyre do zbatohej skema e shkëmbimit me Sisokon. Së fundmi synimi i Anjelit është edhe Bojan Kërkiç, talenti i ri i Barcelonës.