28 shkurt 2011

Juve, Del Neri në dyshim, del në pah hija e Lipit

Anjeli dhe Martota nxitohen, por ka afat deri të shtunën në sfidën me Milanin

Xhixhi Delneri do të jetë patjetër trajneri i Juventusit deri të shtunën e ardhshme. Përtej kësaj, nuk është e arsyeshme të parashikosh. E reja është se për të ka një datë skadence: nëse skuadra vazhdon të shkojë drejt fundit, do jetë i pari (i vetmi) që do ta paguajë. Në realitet, as Anjeli, as Marota nuk dëshirojnë shkarkimin. Të shtunën në mbrëmje presidenti, administratori i deleguar dhe trajneri janë takuar për 30 minuta.

Anjeli ka kërkuar, Delneri ka shpjeguar, në fund tekniku ka dalë me ndërgjegjen e pastër. “Patëm një ballafaqim të sinqertë”, njoftoi Marota. “Në fund, i thamë Delnerit të ecë përpara i qetë me punën e tij. Këtu jemi të gjithë përgjegjës, të gjithë fajtorë: drejtues, trajnerë dhe lojtarë. Delnerit nuk i ka ikur nga duart situata, ka kontrolluar skuadrën e tij. Nuk është në program, në mënyrë absolute, një ndryshim pankinash”, u shpreh drejtori i përgjithshëm. Por një plagë në ndërgjegje është hapur dhe rrezikon të bëhet e pariparueshme. “Është e qartë, që puna e trajnerit është nën ekzaminim, siç është logjike në raste të tilla.

Do të duhet të bëjmë kujdes, që të mos biem në nivelin e alarmit”, sqaroi ai. Përkthimi është shumë i thjeshtë: nëse rezultatet do të vazhdojnë të jenë negativë, Delneri do të shkarkohet. Me kë do të zëvendësohej është e pamundur ta thuash, por emri që po qarkullon gojë më gojë është ai i Marçelo Lipit. Ish-trajneri i Italisë është thirrur për një kohë të gjatë nga nostalgjikët e tifozerisë ultrase. Marota ka zyrtarizuar në praktikë atë që në dhomat juventine po përflitej javën e kaluar.

Anjeli beson te Delneri, dëshiron që të jetë trajneri i tij edhe për vitin e ardhshëm, por është koshient se tekniku do të ishte i pamundur për ta mbrojtur, nëse rezultatet do të jenë këto: sot për sot, Juventusi është thuajse jashtë Europës dhe tetë muaj pas fillimit të punëve skuadra nuk ka manifestuar ndonjë shenjë të mirë. Madje bën regres nga java në javë. Delneri ka refuzuar mundësinë e dorëheqjes: “Absolutisht jo”.

Dhe nuk ka bërë as autokritikën më minimale, duke u limituar te një nga frazat më të njohura në leksikun e futbollit: “Kur humbasim, të gjithë jemi përgjegjës, sikurse jemi të gjithë të mirë kur fitojmë”.
/JUVENEWS.TK/