25 shkurt 2011

Del Neri: "Juventusi ka nevojë për një revolucion"

Torino (Itali) - "Një revolucion? Shpresojmë mendor". Xhixhi Del Neri është i bindur që në ndeshjen kundër Bolonjës do të jetë një tjetër Juventus në fushën e lojës. Për të mos përsëritur paraqitjen e keqe që kanë treguar në Leçe dhe të fillohet rruga drejt 12 fitoreve radhazi që janë kërkuar (ose më mirë urdhëruar) nga presidenti Andrea Anjeli. Asnjë ndryshim rrënjësor në formacionin titullar, por vetëm ndonjë ndryshim i kuruar aty ku ka nevojë: objektivi i trajnerit bardhezi është të përsërisë ecurinë e shkëlqyer të fund sezonit të shkuar kur drejtonte Sampdorian. "Shpresoj, që gjërat të ndryshojnë mbi të gjitha në nivel mendor. Pres një Juventus të ndryshëm nga skuadra që ka luajtur në Leçe, ajo humbje është harruar tashmë, por nuk është lënë mënjanë, kemi analizuar shumë mirë çdo gjë që nuk ka shkuar mirë të dielën e shkuar. E vështirë të shpjegohet një rënie e tillë e skuadrës: ishte e njëjta skuadër që kishte mundur Interin pak ditë më parë. Në Leçe ka ndodhur një rrëzim shumë i papritur. Por që edhe mund të qëndrojë. Por kemi bindjen që mund të bëhet akoma edhe më mirë, duke filluar nga mënyra sesi zbresim në fushën e lojës: në mënyrën e duhur kundër Interit, gabim të dielën e shkuar. Për ndeshjen me Leçen jemi të gjithë përgjegjës, ashtu siç kemi qenë të gjithë protagonistë për fitoren e arritur kundër Interit".

Kundër Bolonjas për fitore

Por tani Juventusit i janë kërkuar nga drejtuesit më të lartë të klubit plot dymbëdhjetë fitore radhazi për të arritur objektivin e vendosur në fillim sezoni, që është zona Champions Ligë. "Andrea Anjeli ka qenë shumë i qartë. Dëshirojmë të fillojmë të fitojmë kundër Bolonjas, edhe sepse në rast të kundërt ndeshja e të shtunës do të na jepte një shtytje negative. Të shqetësuar? E drejtë, por pa pasur frikë, jemi në situatën që ishim në ndeshjen me Interin. Nuk ka shpjegime për provën e dobët të zhvilluar me Leçen: duhet të kthehemi të luajmë mirë kundër Bolonjas ashtu siç kemi luajtur kundër Interit. Në bankinën e Sampdorias keni arritur 27 pikë në fund të kampionatit? Këtu tek Juventusi janë sigurisht cilësitë për të arritur të përsërisim atë që bëmë një sezon më parë tek Sampdoria. Edhe se kemi pasur shumë ulje dhe ngritje këtë periudhë. Kemi qenë në vështirësi kur kemi luajtur për pothuajse të gjithë ndeshjen në 10 kundër 11 kundër Parmës dhe Leçes. Duhet të ndryshojmë ritmin dhe të luajmë me më shumë agresivitet". Pavarësisht rezultateve jo shumë pozitive të skuadrës bardhezi në këtë kampionat, trajneri Del Neri beson ende tek skuadra dhe tek lojtarët që kanë zhvilluar ndeshjet e fundit dhe shprehet se nuk do të ketë revolucion në njëmbëdhjetëshen titullare. "Nuk ndryshohet gjithçka për shkak të një ndeshjeje që ka shkuar keq. Trajneri nuk duhet të ndryshojë gjithçka në një javë, në të kundërt do të ishte ilogjike. Kemi prodhuar gjithsesi gjëra të mira. Sa ndryshime do të ketë formacioni titullar nga ndeshja me Leçen? Të shikojmë se në çfarë gjendje janë lojtarët, mund të adaptojmë disa zgjidhje të ndryshme edhe gjatë ndeshjes, në varësi të rezultatit. Kielini përsëri në qendër? Nuk varet gjithçka nga një lojtar i vetëm, duhet të kryhet një verifikim më i madh. Kielini ka zhvilluar dy ndeshje shumë të mira kundër Interit dhe Kaljarit. Pak lojtarë krahu në fushën e lojës? Luaj më shumë me forcën, por nuk duhet të harrojmë që Martinez ka qëndruar jashtë fushave për 3 muaj, e njëjta situatë edhe për De Celjen, Traore sapo është rikuperuar. Kur të jenë në gjendjen e tyre më të mirë do të kemi mundësi të shikojmë një skuadër në formë. Krasiç rrezikon skualifikimin? Nuk na interesojnë skualifikimet. Kush është disponibël do të luajë".
/JUVENEWS.TK/