Ish-sulmuesi bardhezi kritikon zgjedhjet e drejtuesve në merkato: Duhen lojtarë kampionë
David Trezege nuk e ka humbur vesi për ta çuar topin në rrjetë as në kampionatin spanjoll, por mendimet e tij fluturojnë gjithmonë drejt Torinos. Vitet e kaluar me fanellën bardhezi nuk harrohen kaq shpejt dhe situata e vështirë e ish-shokëve të skuadrës ndikon edhe te humori i sulmuesit franko-argjentinas:
“Juventusi më bën të vuaj, sepse nuk po arrin të rikthehet skuadra e viteve të kaluara dhe te fitoria e titujve. Për shumat e mëdha që ka shpenzuar prisja më shumë, - ka thënë Trezege. - I lejoj vetes të jap një këshillë të vogël: për të fituar duhen kampionët të mësuar me fitoret dhe me një mentalitet fitues.
Njerëz të cilët nuk kanë nevojë për shpjegime, por që e dinë mirë se si arrihet lart. Unë do t’i lija për orë të tëra lojtarët e rinj te zyrat e klubit për të parë trofetë: kështu kuptojnë se ku luajnë. Tardeli më thoshte gjithmonë, ‘a do të dish kush jam unë? Shko te zyrat e klubit dhe do ta kuptosh’.
Shumë e drejtë. Me lojtarë që kënaqen me vendin e katërt te Juventusi nuk mund të shkohet përpara. Janë gjëra që Anjeli i di. Lojtarëve u duhet kujtuar se çfarë përfaqëson Juventusi. I këshilloj ata të bëjnë një xhiro në sallën e trofeve. Më bën të vuaj kur shikoj Juventusin që nuk arrin të fitojë asgjë.
Për paratë që ka hedhur në merkato duhej të ishte në një pozicion më të mirë tani. Del Piero? Nuk kuptoj pse po zgjatet kaq shumë kjo historia e kontratës. Ai dhe Bufon janë të vetmit lojtarë që kanë fituar shumë. Jam dakor me rinovimin e skuadrës, por më pas 12 milionë tifozë duan të fitojnë”, ka thënë francezi.
“Trezegol” beson se grupi bardhezi duhet të përmirësohet akoma: “Duhen të paktën edhe tre lojtarë të tjerë për t’u rikthyer te fitoret. Nuk e di se cilët mund të jenë, e rëndësishme është që të jenë mësuar me fitoret. Shembulli është Milani: me Ibrën ka bërë një zgjedhje të sigurt.
Më mirë një kampion, se tetë lojtarë normalë, - ka shtuar sulmuesi. - Mourinjo trajneri i ri? Eshtë normale të mendohet si zgjidhje, njerëzit janë lodhur duke mos fituar, kështu që do të pranonin edhe një ish-interist. Mourinjo do të ishte përcaktues siç ka qenë me Çelsin, Interin ose Realin. Natyrisht do të donte lojtarë të nivelit të lartë. Por për këtë kanë nevojë të gjithë klubet e mëdha për të fituar”. /JUVENEWS.TK/