25 shkurt 2011
Ançeloti: Kriza e futbollit italian? "Pak investime, asnjë talent"
Londër (Britani e Madhe)- Tashmë është zyrtare gjithçka: Italia do të humbasë skuadrën e katërt në Champions Ligë, duke filluar nga sezoni 2012-2013. Mbi krizën e futbollit italian janë kryer diskutime të çdo lloj tipi; dhe për këtë çështje ka dashur të flasë edhe trajneri italian Karlo Ançeloti, duke treguar idenë e tij. Gjykimet e tija sigurisht që nuk janë shumë të qeta: "Kriza italiane është tranzitore: ka shumë pak investime, asnjë vëmendje ndaj talenteve, shumë vështirësi për skuadrën kombëtare, është shprehur trajneri i Chelsit, duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën "Republica".
Njëherë e një kohë taktika italiane bënte diferencën. Tashmë të tjerët na kanë arritur. Por nga të tilla situata të vështira dilet me durim dhe qetësi". Pikërisht nga ana taktike, ish-trajneri i Milanit ka nënvizuar një aspekt shumë të rëndësishëm: "Përshtypja që krijohet pas këtyre ndeshjeve të para në të tetat finale të Champions Ligës është që të gjitha skuadrat kanë fituar në kundërsulm. Në futboll nuk ka shumë për të shpikur të reja. Në fillim e quanim kundërsulm, më pas rinisje, tashmë tranzicion. Nuk se e aplikojmë më një lojë të tillë, vetëm që skuadrat e tjera europiane e kanë mësuar mirë. Për Chelsin tim, loja në kundërsulm është edhe loja më efikase". Shumë i qartë ka qenë diskutimi edhe për diferencën ndërmjet futbollit ialian dhe atij anglez, ku Ançeloti punon tashmë prej dy sezonesh: "Pas skualifikimit të papritur në Kupën e Anglisë kundër Evertonit me penallti, tifozët tanë na kanë duartrokitur.
Në Itali, një gjë e tillë do të ishte një utopi. Duhet një revolucion kulturor, përveç stadiumeve private me paratë e klubit që sjellin edhe të ardhura më të mëdha. Në Londër janë 10 klube dhe çdo klub ka stadiumin e tij. Një tifoz kalon ditën në stadium, ndeshja është vetëm një moment i caktuar i ditës. Ndërkohë që, duhet të theksoj se stadiumet italiane janë shumë pak të rehatshëm. Dhe fushat e lojës ta shpifin që nga viti 1990". Në fund të intervistës së tij për "La Republica", trajneri roman nuk është zhbalancuar shumë kur është pyetur mbi të ardhmen e tij, duke u shprehur: "Unë synoj të qëndroj akoma edhe më shumë këtu ku jam aktualisht. Këtu ndihem si zot. Leonardo tek Interi? Unë nuk do ta kisha bërë asnjëherë një gjë të tillë". /JUVENEWS.TK/