26 shkurt 2011

Juventusit i duhen 27 pikë për Championsin

Objektivi i bardhezinjve është i qartë. Trajneri tregon rrugën që duhet ndjekur: T’i fitojmë të gjitha

Janë 12 ndeshjet e Serisë A që mungojnë për të kompletuar sezonin 2010-11. 12 ndeshje shumë të gjata ku do të zhvillohen sfidat klasike për titull, për luftën për mbijetesë, dhe beteja për të siguruar një vend në kompeticioent europiane. Juventusi do të kërkojë të sigurojë vendin e katërt që mbahet nga Lacio (7 pikë larg bardhezinjve).

Por, nëse shikojmë shifrat zbulojmë se për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm (duke analizuar edhe sezonet e fundit) “Zonjës” duhet t’i mjaftojnë 27 pikë të tjera. Një arritje jo e pamundur duke parë se ka qenë pikërisht Del Neri, trajneri i Juves, që e ka realizuar një gjë të tillë me Sampdorian në 12 ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar.

Tetë fitore, tre barazime dhe një humbje që e kanë lejuar Sampin të sigurojë vendin e katërt në renditje. Ka mundësi që kualifikimi në Champions të vendoset në javën e 35-të kur në “Olimpiko” të Romës, do të përballen pikërisht Lacio me Juventusin.

“Juventusi duhet të ndryshojë patjetër rrugë. Duhet të shkojmë përpara duke dhënë maksimumin. Presidenti ka kërkuar 12 fitore, ne do të provojmë ta realizojmë këtë ndeshje pas ndeshjeje”, ka thënë Del Neri, që u ka kërkuar lojtarëve të tij të ringrihen pas humbjes së shëmtuar kundër Leçes.

Trajneri i Juventusit shpreson që të ketë një revolucuon “psikologjik” për skuadrën e tij, që ndoshta nuk do të ketë në dispozicion Krasiç për shkak të lodhjes fizike. Del Neri ka shpjeguar rrugën që duhet ndjekur për t’u rikthyer te fitorja:

“Duhet të luajmë në një mënyrë të ndryshme në krahasim me ndeshjen e kaluar, por nuk mund të ndryshohet gjithçka, sepse një ndeshje ka shkuar keq. Nuk do të ishte logjike, edhe pse puna që kemi bërë deri tani na ka lejuar të marrim rezultate të rëndësishme.

Nuk duhet të harrojmë se pak ditë më parë i njëjti formacion ka zhvilluar një futboll agresiv kundër Interit, domethënë, ajo e Leçes ka qenë një ndalesë që, edhe pse e papritur, në futboll është e pranueshme”. Kundërshtari i sotëm është Bolonja e Malezanit, një skuadër që Del Neri e vlerëson shumë.

“Kanë dhënë maksimumin kur ndodheshin në një moment të vështirë. Kanë pasur probleme në nivel klubi, por kanë lojtarë cilësorë dhe kanë dhuruar gjithmonë një futboll të bukur, duke gabuar pak ndeshje, - ka thënë trajneri i Juventusit. - Eshtë një formacion që mbrohet mirë, luan në kundërsulm dhe Di Vaio bën një detyrë të mirë, duke mbajtur ekipin përpara”.
/JUVENEWS.TK/