01 shkurt 2011

Mbyllet afati kalimtar dimëror

00:59 - Në Angli kishte dhe një orë kohë sipas kohës tonë lokale dhe gjatë atyre minutave të mbetur, Chelesa konfirmoi zyrtarisht transferimin e David Luiz për 21 milionë funte.

00:01 – Mbyllet afati kalimtar

Me të prekur ora 12 e mesnatës, është mbyllur afati kalimtar dimëror në futbollin evropian. Transferimi më i bujshëm i këtij afati kalimtar sigurisht se do të jetë Fernando Torres. Sulmuesi spanjoll ka përfunduar te Chelsea për një shumë rekorde prej 50 milionë funtesh, derisa si zëvendësim për të Liverpooli ka sjellë Andy Carroll nga Newcastle po për një shumë rekorde për transferimet britanike, 35 milionë funte. Liverpooli është përforcuar edhe me Luis Suarez, i cili mund të aktivizohet edhe si sulmues i dytë. Ndërkohë ende nuk dihet nëse janë mbyllur dokumentet për transferimin e David Luiz. Gjithçka do të qartësohet gjatë ditës së nesërme. Përshëndetje nga stafi i Telegrafi.com

23:50 – Carroll lojtar i Liverpoolit

Liverpooli ka përfunduar gjithçka rreth transferimit të sulmuesit Andy Carroll. Tashmë ish-lojtari i Newcastle United, ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare e gjysmë me Redsat.

23:40 – Asnjë transferim për Arsenalin dhe United

Për të gjithë fansat e Arsenalit dhe Manchester United – asnjë transferim. Duket se dy liderët e tabelës së Ligës Premier nuk e kanë parë të nevojshme të sjellin përforcime të reja. Arsenali ishte i hapur për një mbrojtës, por asnjë lojtari nuk ishte i kapshëm për një çmim të arsyeshëm. United në anën tjetër kërkonte një portier, por duket se Sir Alex Ferguson do të duhet të jetë aktiv gjatë verës në kërkim të pasuesit të Edwin van der Sar.

23: 35 – Gudjohnsen megjithatë nënshkruan me Fulhamin

Eidur Gudjohnsen i është bashkuar Fulhamit si huazim deri në fund të sezonit. Sulmuesi i Stoke City disa orë më parë tha se ai do të mbetet te klubi aktual, por duket se gjithçka ka ndodhur shpejt dhe Gudjohnsen do të jetë lojtar i Fulhamit për pjesën e mbetur të sezonit.

23:30 – Minutat e fundit të afatit kalimtar

Derisa jemi në minutat e fundit të afatit kalimtar dimëror, janë edhe një mori transferimesh të cilat ende nuk janë mbyllur, ndërsa disa të tjera vetëm presin zyrtarizmin. Derisa Luiz Suarez tashmë ka nënshkruar me Liverpoolin, ndërsa besohet të jetë kryer edhe nënshkrimi i Fernando Torres me Chelsean, mbetet të shihet çdo të ndodhë me David Luiz, si dhe po ashtu edhe zyrtarizmi i nënshkrimit të Andy Carroll te Liverpooli.