Londër (Britani e Madhe)- Luçiano Moxhi vazhdon të flasë shumë çdo ditë mbi faktin që, Juventusi i tij ishte ndërtuar me kampionë të mëdhenj, ndërkohë që në këtë skuadër të ndërtuar nga Bepe Marrota, por edhe në atë paraardhëse të ndërtuar nga Alesio Seko dhe Zhan Klod Blank, është shumë e vështirë që të arrish të gjesh ndonjë lojtar të mirë. Rruga që është sugjeruar prej disa kohësh nga ish-drejtori i përgjithshëm bardhezi është kështu pra ajo e "blerjes së pak lojtarëve, por të cilët të jenë cilësorë" për të ndërtuar si fillim, dhe për t'i dhënë vazhdimësi më pas një projekti fitues. Dhe shumë mirë, por nuk është aspak e rastësishme, që një tjetër pjesë e rëndësishme e Zonjës së Vjetër fituese që drejtohet nga Luçiano Moxhi, siç është Fabio Kapelo, ka shprehur koncepte pothuajse identike me ato që ditë më parë janë shprehur me zë të lartë nga Big Luçiano.
"Për Juventusin ky është viti zero, shpjegon trajneri i kombëtares angleze, duke folur për mediat italiane, me disa lojtarë që kanë dhënë shumë pak nga ajo që pritej prej tyre. Për Andrea Anjelin do të jetë një eksperiencë e rëndësishme, nga sezoni i ardhshëm do të riniset akoma më fort. Në grupin aktual bardhezi ka disa lojtarë të mirë dhe të tjerë pozitivë, por duhet të rritet akoma më shumë niveli: kur zhvillohet një proces rindërtimi në një skuadër, është më mirë të përfshihet të paktën disa lojtarë të mirë herë pas here dhe jo të kryhet një spastrim total i elementëve që kanë ndërtuar grupin për shumë vite". Ish- trajneri i Juventusit dhe tashmë në krye të kombëtares angleze ka vazhduar më tej idenë e tij: "Unë gjithmonë kam thënë: nuk dua 7 lojtarë, por dy shumë të mirë. Kur duhet të rindërtosh një skuadër duhet vetëm cilësia, përfundon Kapelo. Tek Milani kanë mbërritur Ibrahimoviç dhe Robinjo. Më në fund, i kam thënë Galianit, keni marrë dy lojtarë shumë të mirë. Duhen lojtarë që bëjnë diferencën, por jo lojtarë sa për numër…".
Del Neri do të ketë tashmë më shumë zgjedhje në dispozicion, por nuk harron ata që, në periudhën me më shumë emergjencë, janë sakrifikuar për të mirën e skuadrës: "Duhet të falenderoj Martinezin, sepse ka kuptuar shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh një lojtar, duke treguar një disponibilitet maksimal dhe duke luajtur dy ndeshje radhazi me një ilaç kundër dhimbjeve dhe jashtë pozicionit të tij normal në fushën e lojës. I njëjti diskutim vlen edhe për kapitenin Alesandro Del Piero".