02 shkurt 2011
Del Neri: "Të ndryshojmë trendin"
Torino (Itali) - "Vendi i katërt është realisht i arritshëm? Në futboll gjithçka është e mundshme, edhe vendi i tretë dhe i dytë… Varet gjithçka nga rezultatet e të tjerëve deri në fund të sezonit dhe nga ecuria jonë". Del Neri nuk dëshiron të dëgjojë për krizë dhe përpara ndeshjes me Palermon është shprehur: "Është momenti të ndryshojmë trendin tonë: Juventusi nuk mund të luajë gjashtë muaj dhe më pas të harrohet. Nuk mendoj se ka pasur një rënie të përgjithshme dhe lodhje të skuadrës, mbase vetëm një rendiment më i ulët se më parë nga ndonjë element i veçantë". Dhe për blerjen e re, sulmuesin Matri, Luixhi Del Neri është shprehur: "Do të luajë me detyrim nga minuta e parë. Më duket se, kemi punuar shumë mirë në merkato, gjykimi im është pozitiv, vazhdon më tej trajneri, sepse në skuadër kanë mbërritur lojtarët që na mungonin. Kemi kompensuar ndjeshëm dëmtimin e Kualjarelës dhe me një lojtar shumë të rëndësishëm dhe të perspektivës. Tashmë, ka shpjeguar Del Neri, duhet vetëm të rikuperojmë energjitë psikologjike me një paraqitje të rëndësishme dhe duhet të arrijmë padiskutim një rezultat të rëndësishëm në një fushë të vështirë". Mbi largimin e Amaurit, trajneri ka saktësuar se "lojtari dëshironte të largohej dhe me shumë mundësi, duke ndryshuar skuadër mund të gjejë ato energji që këtu, edhe për shkak të dëmtimeve të shumta, i kishte humbur".