02 shkurt 2011

Juve, “senatorët” rebelohen kundër klubit

Një skuadër pa fytyra kampionësh, mjafton të shihet merkato. Del Piero e Bufon: Jemi një skuadër bosh

Pavarësisht nga dita e fundit e merkatos (dje në orën 19:00), Juventusi duhet të mbajë qëndrim për momentin e vështirë që po kalon, që është ai i një skuadre, që mund të synojë për një vend në Ligën e Europës ose maksimumi të shpresojë në një mrekulli që ta çojë në ndeshjet paraeliminatore të Championsit, siç ndodhi vitin e shkuar me Sampdorian.

“Nuk kemi më forcën e dikurshme, -sintetizon Bufon. - Shpresoj që të mos përfundojë si në sezonin e shkuar. Madje, nuk besoj se do të ndodhë, sepse dëmtimet po ndikojnë vërtet shumë. Por nuk mund të mohohet që dikur ky klub mund të shiste Zidanen për 150 miliardë dhe me ato para më blinte mua, Turamin e Nedvedin”.

Sot Juvja duhet të paguajë shumë, sepse disa lojtarë duhet të largohen: ndodhi në verë me Kamoranezin e Trezegenë, vazhdoi dje me Amaurinë dhe deri te Legrotalje: gjithçka është brenda një liste gratis, për të kursyer pesë muaj rroga të majme. Mbrojtësi shkoi falas te Milani. Dhe ndoshta fiton titullin.

“Por ne jemi një skuadër boshe”, - rebelohet Del Piero. Alibia e të dëmtuarve qëndron, në mënyrë të padiskutueshme: Del Neri nuk ka sulmues shpëtimtarë, që mund t’i ndryshojnë gjërat gjatë ndeshjes, por kjo emergjencë nuk mund të jetë një surprizë totale, sepse ka tre vjet që dëmtimet ndikojnë në rendimentin e skuadrës dhe sepse disa lojtarë (Iakuinta), kanë treguar prej kohësh se janë aspak të besueshëm në aspektin fizik.

Ishte për t’u përgatitur që do të mungonin rreth 20-të ndeshje, sepse bën pjesë në historinë e tyre fizike. Kështu, te Juvja emergjenca dhe kriza kanë një emërues të përbashkët dhe renditja po fillon të bëhet e frikshme, para së gjithash në prespektivë të asaj që po ndodh: nesër Juvja do të jetë në Palermo, të shtunën në Kaljari dhe të dielën që vjen do të presë Interin.

Për këtë skuadër, janë tri “male Everest” për t’u kapërcyer. “Momenti është shumë i keq, - pranon Del Neri. Por këtyre lojtarëve nuk mund t’u them asgjë në aspektin e përkushtimit. Ajo që na mungon, përveç shëndetit, është edhe përqendrimi: disa gabime duhet t’i shmangim”

Por janë gabime që varen nga cilësia mesatare e dobët e skuadrës, që në aspektin e mirëfilltë teknik është më e dobëta mes tetë të parave në renditje. “Kur vendosëm të qëndrojmë, - tregon Bufon, - e dinim që ekzistonte rreziku se mund të hasnim sezone të tilla, edhe pse nuk mund t’i lejojmë vetes një tjetër dështim si ai i viit të shkuar.

Por nuk jam penduar që ndodhem akoma këtu: nëse duhet të fitojmë titullin në tre vitet e ardhshme, do të ishte sikur të fitoja 1 milionë e 200 mijë euro në çdo vend tjetër”.