21 shkurt 2011

Juve-Inter, duel për talentin Ona nga Ekuadori

Një javë më mbrapa, përsëritet Juventus-Inter. Bardhezinjtë, që fituan në fushën e lojës, mund të kenë sukses edhe në merkato. Përgjegjësi i vëzhguesve bardhezi, Karlos Vargas, ka vënë në shënjestër talentin Kristian Andres Ona nga Ekuadori, që dukej shumë afër kalimit tek Interi. Lojtari ka rënë në sy me fanellën e kombëtares së tij në kampionatin e fundit amerikanojugor U-20.

Kushton rreth 1.5 milionë euro. Politika e re e klubit është çdo ditë më e qartë: t’u hiqen nga duart të rinjtë interesantë rivalëve dhe me çmime të arsyeshme. Në fakt vëzhguesit e Juves, Paratiçi dhe Vargas, nën mbikqyrjen e Marotës, duket se kanë ndërmend t’i ofrojnë Indipendientes të Sanglokuit rreth një milion e gjysmë euro për të siguruar të riun, që ka befasuar në paraqitjet e tij të fundit.

Ona është vetëm 18 vjeç, por ka luajtur shumë herë si titullar në klubin e tij. Eshtë i aftë në prishjen e sulmeve të kundërshtarit dhe ka cilësi të mira teknike. Për këtë arsye Interi e kishte zgjedhur dhe mendonte ta merrte në Milano ditën e nesërme.

Dukej gjithçka e mbyllur, deri në momentin që ka ndërhyrë Juventusi. Asgjë përfundimtare, të jetë e qartë: për Onan në fakt interesohet edhe Arsenali, Xhenoa dhe Palermo. Por, derbi i Italisë mund të përsritet shpejt. Në fushë ka fituar Juventusi, në merkato nuk dihet akoma se si do të përfundojë kjo përballje.