21 shkurt 2011

Del Neri i zhgënjyer nga disfata në Leçe

Trajneri bardhezi pranon: Jam shumë i zemëruar. Ky ishte Juventusi më i dobët i sezonit

Del Neri është shfaqur mjaft i nxehur pas disfatës së pësuar në Leçe: “Jam totalisht i zhgënjyer dhe zemëruar, bëmë një hap prapa edhe pse dy javët e fundit kemi shkëlqyer. Ishte një ndeshje ku nuk pati asgjë të mirë, Leçe u shfaq në fushë plot energji dhe zemër ndërsa ne jo. Do të thoja që ishte Juventusi më i keq i këtij viti.

Penalltia e Tonit? Po ta shihje nga pankina dukej një penallti “sade”, nëse do jepej, ndeshja do të kishte marrë një tjetër rrjedhë, po pavarësisht kësaj ne luajtëm shumë keq”. Gjithsesi Del Neri nuk justifikohet teksa vazhdon: ” Gabuam plotësisht, në fushë u pa një skuadër ndryshe nga ajo e ndeshjeve të fundit, shumë e ngadaltë, që duhet të reflektojë për të ardhmen.

Leçe e kishte gjithmonë në përparësi topin, luajti plot energji ndërsa ne luajtëm një futboll të “pisët”, pa ide të mëdha, e merituam humbjen”. Tekniku bardhezi më pas rrit dozën duke thënë: “Nuk jemi të mëdhenj pasi na mungon mentaliteti për t’u përballur me përqëndrim në ndeshjet e ashtuquajtura të lehta në letër.

Është një disfatë që duhet të na bëjë të reflektojmë shumë, e cila na kthen sërish prapa. Jemi larg objektivave tona, dhe si koncept duhet t’i rregullojmë gjërat, duhet të bëjmë gjithçka për të mos gabuar më. Ndeshjet edhe mund të humben, por të paktën le të humben në mënyra të tjera, për shembull në Palermo vërtet humbëm, por ama luftuam.

Të luajmë në këtë mënyrë nuk na jep mundësinë t’iu tregojmë të tjerëve se jemi edhe ne në garë. Shpresoj që kjo humbje të na shërbejë si leksion pasi nëse duam të arrijmë objektivat e rëndësishme duhet të luajmë në një tjetër mënyrë”, - përfundoi Del Neri.

“Mendoj se tekniku ka të drejtë, një ndeshje e shëmtuar që menjëherë nisi keq. Nuk kemi përse të justifikohemi, - u shpreh Andrea Barzalji. - Kishte një çorientim në të gjitha repartet, e dinim që arma e tyre parësore ishte kundërsulmi dhe pikërisht në këtë pikë ne e pësuam.

Edhe nëse Bufon nuk do ishte ndëshkuar mendoj se gjërat sërish do shkonin në këtë mënyrë, ishim të ngadaltë, të hutuar në mbrojtje. Gabuam në përqasjen e lojës. Duhet që në javët e ardhshme t’i rikuperojmë këto gabime, sa për mbrojtjen ajo nuk veproi ashtu siç kishte parashikuar trajneri”.