19 shkurt 2011

Del Piero e Markizio, kontratat në dyshim

Kapiteni dhe klubi bardhezi “prishen” për 1 milionë euro. Mesfushori mund të bëhet një çështje

Imazhi virtual i Bepe Marotës, drejtorit të përgjithshëm të Juves, është ai i një rrobaqepësi që gjatë gjithë kohës është i zënë me prerje, qepje e riparime. Kontrata e Alesandro Del Pieros është mbi tavolinën e bordit drejtues prej një jave.

Pas takimit të parë mes palëve vijoi një tjetër ballafaqim sqarues për të gjetur pikat e kontaktit dhe vendosur distancat ekonomikisht. Kontrata e lojtarit skadon në 2012-ën, por duket se palët momentalisht janë disi të distancuara nga njëra-tjetra. “Për sa na takon ne dyert janë të hapura, Alesandro është një simbol, një kampion dhe si futbollist vlen shumë.

Ishin këto fjalët e drejtuesve të klubit, të cilët janë të gatshëm të vendosin 1 milionë euro, plus 1 milionë të tjera, të cilat do i bashkohen objektivit dhe rendimentit. Pastaj për gjithçka tjetër pritet të diskutohet javën e ardhshme.

BUMERANG - Nëse nga njëra anë Aleks për dashurinë që ndjen ndaj fanellës bardhezi dhe nderit që gëzon në këtë klub dëshiron të lërë shenjë në stadiumin e ri, nga ana tjetër duket se premiot e objektivit duken si “bumerang”. Po nëse trajneri nuk do ta përfshinte në planet e tij?

Po nëse skuadra nuk e arrin Championsin apo pas një viti të qëndronte larg gjithë kompeticioneve? Ka një mënyrë që mund të shpëtojë dhe është pikërisht merkatoja që bëhet nga klubet e Dubait apo SHBA-së, por kjo do të ishte një mbyllje karriere jo e lavdishme.

Mos ndoshta është më mirë 2 milionë euro në zarf? Në ditët e ardhshme pritet të punohet për një zgjidhje jo më shumë se 1 milionë e gjysëm euro, si edhe 700 mijë të tjera, të cilat do të variojnë në bazë të rendimentit të lojtarit.

ALARMI - Teksa kapiteni është i gatshëm për të firmosur, një nga mesfushorët bazë të ekipit, Klaudio Markizio mund të jetë largimi i radhës. Të paktën nëse klubi nuk parashikon mbylljen e polemikave me lojtarin, që zvarriten që prej verës së kaluar.

Në fakt mesfushori torinez ka një kontratë të gjatë, e cila përfundon në 2014-ën, por ka rrogën më të ulët mes titullarëve apo lojtarëve në pankinë. Për këtë çështje u diskutua shumë gjatë verës së shkuar, dhe u tentua të eliminohen polemikat mes drejtuesve, të cilët nuk ranë dakord me kërkesën e agjentit të lojtarit, teksa ky i fundit është shkarkuar nga futbollisti.

Për momentin Markizio vazhdon rrugën i vetëm, i ndihmuar nga babai dhe nga një studio ligjore, duke pritur sinjale të mira nga drejtuesit, para se Real Madrid, Mançester, Milan apo Arsenal t’i bëjnë gati një ofertë zyrtare klubit bardhezi, prej së cilës lojtari nuk mund të heqë dorë.