19 shkurt 2011

Matri: "Juve kujdes, do të gjejmë një Leçe në formë"

Vetëm një ditë larg është transferta e Leçes. Vazhdon të qarkullojnë shumë fjalë përreth ndeshjes në 'Via del Mare', një tjetër pikë kyçe e sezonit bardhezi. Pas sukseseve kundër Kaljarit dhe Interit, bardhezinjtë do të provojnë të arrijnë fitoren e tretë radhazi, që nuk është arritur asnjëherë në këtë sezon nga skuadra e drejtuar nga Luixhi Del Neri. Ai që do të tentojë këtë seri pozitive është Alesandro Matri.

Edhe sulmuesi bardhezi ka një seri të mirë me golin, duke parë që ka shënuar tre gola në tre ndeshje dhe dëshiron të vazhdojë në këtë rrugë. Matri ka komentuar për Juventus Channel gjendjen e skuadrës bardhezi në këtë moment: "Në këtë moment është një Juventus i motivuar dhe me një moral shumë të lartë. Ajri që qarkullon në shtëpinë tonë është pozitiv. Kemi besim tek skuadra jonë dhe shumë dëshirë për të arritur një fitore të rëndësishme në Leçe".

Matri do të rigjejë përballë Leçen në distancë të tre muajve nga ndeshja e fundit me ta dhe ka një kujtim të pëlqyeshëm. Me fanelën e Kaljarit, bomberi ka realizuar një dopietë në fitoren 3-2. Një sukses që e kujton mirë dhe jo vetëm për dopietën e tij të shkëlqyer. "Kemi qenë në avantazh 3-0 në fund të pjesës së parë dhe pavarësisht kësaj, ata janë rikthyer fort në ndeshje. Leçe është një kundërshtar i fortë, pavarësisht se klasifikimi nuk flet në favor të tyre dhe në këtë rast do të luajmë në shtëpinë e tyre".

Në Pulja këtë herë Matri do të shkojë me fanelën e Juventusit të veshur. Problemi që kishte në ndeshjen me Interin është lënë mënjanë, dëshira për të vazhduar të çudisë të gjithë është ende e madhe. "Për të thënë të vërtetën nuk jam mësuar me gjithë këto fjalë vlerësuese, por e rëndësishme është që të flitet mirë. Jetoj javën me qetësi, jam duke e shijuar këtë moment dhe vazhdoj të punoj shumë për të ndihmuar skuadrën, që të arrijë objektivat e vendosur".