22 shkurt 2011

Del Neri rrezikon, Spaleti ose Konte alternativat

Pas humbjes zhgënjyese kundër Leçes drejtuesit bardhezinj po mendojnë të bëjnë ndryshime

Humbja 0-2 në Leçe ka rihapur një “plagë”, të cilën dukej se fitorja kundër Interit e kishte mbyllur. Del Nerit duke filluar që tani deri e deri në qershor do t’i duhet të luajë shanset e veta për t’u rikonfirmuar sërish në pankinën bardhezezë.

Për momentin ky i fundit nuk rrezikon largimin, pasi me Anjelin si president kërkon të rikthehet në “stilin Juve”, gjithsesi vazhdimësia e këtij projekti për sezonin e ardhëshëm nuk është e sigurt prandaj për një largim të mundshëm qëndrojnë dy emra zëvëndësuesish: Spaleti ose Konte.

“Nuk jemi gjigandë”, kanë qënë pikërisht këto fjalët që kanë rikthyer tifozët bardhezinj në një realitet të hidhur, vetëm shtatë ditë pasi kanë festuar triumfin ndaj Interit. Por ka qënë pikërisht kjo festë e stërzgjatur, pavarësisht rëndësisë që pati ndeshja, ajo që ka inlfuencuar tifozët t’i drejtohen transfertës në Pulje.

Tashmë objektivi minimal, vendi i katërt shihet edhe më larg, teksa bardhezinjtë mbajnë një distancë prej 7 pikësh, 5 pikë më shumë se një sezon më parë ku këta të fundit me 41 pikë të marra gjendeshin 2 pikë larg zonës Europiane.

Del Neri javën e kaluar kishte folur për një skuadër të madhe, e cila mund të synojë më shumë se një vend të katërt, por me siguri pas së dielës do të jetë penduar për atë çka ka thënë. Ish-trajneri i Sampdorias e ka konsideruar grupin e lojtarëve si: “pa zemër, pa aftësi operuese dhe pa paraqitje”.

Kjo është një tërheqje vëmendjeje që u bën lojtarëve, të cilët patjetër duhet të lënë shenja gjatë një loje. Duket se edhe këtë vit Juventus rrezikohet të ngelet jashtë për të marrë pjesë në kupat e Europës, kur dihet se edhe merkatua e janarit nuk ka qenë në nivelet e kërkuara.

Tashmë me plot gojë mund të themi se roli i trajnerit është në pikëpyetje. Ndërkaq presidenti Anjeli, po kërkon të rikthejë në klub me ndihmën e trajnerit “Stilin Juve” aq shumë të dëshiruar nga tifozët që në të kaluarën ka udhëhequr drejt suksesit “Zonjën e Vjetër”.

Nuk është se do të ketë një pushim nga detyra për trajnerin ashtu siç ndodhi me Ferrarën. Por në qershor gjërat mund të ndryshojnë. Të vetmit zëvendësues në këtë rast, të gatshëm për të pranuar një pozicion të tillë, duken se do të jenë dy emra ku një prej tyre është ai i Luçiano Spaletit që është studiuar para ndeshjes së Zenitit me Jang Bojsat.

Këto janë vetëm sondazhe dhe hipoteza pasi trajneri ka një kontratë deri në 2012 me klubin rus, e cila duket se është zgjatur me një tjetër vit plus si pasojë e një klauzole, kështu që operacioni për marrjen e tij nuk do të jetë i thjeshtë.

Ndërsa alternativa e dytë është emri i Antonio Kontes, i cili dikur ishte shumë pranë pankinës së Juves, dhe në vitet kur klubi triumfonte me Lipin ishte kapiteni absolut. Me siguri tifozët do ta vlerësonin një emër të tillë në krye të ekipit çka mund t’i çonte drejt realizimit të ëndrrës teksa momentalisht është nën drejtimin e Sienës. Janë 12 ndeshje në dispozicon të Del Nerit për të rikonfirmuar pozicionin e tij.