Sulmuesi italo-brazilian prezantohet me fanellën e Parmës: Dua të rikthehem në kombëtare
Gjatë prezantimit të tij me fanellën e re të Parmës, Karvaljo Amauri ka thumbuar ish-skuadrën e tij Juventus, pasi ka kaluar në formë huazimi në Emilia: “Edhe vitin e shkuar kishte protesta, tani të shohim nëse fajtori jam unë, por që sot (dje) dua të mendoj vetëm për Parmën”.
Tani italo-braziliani i detyrohet presidentit Girardi dhe kërkon të përqendrohet vetëm te skuadra e re. Parma për të është një rikthim, pasi e bleu 10 vjet më parë dhe e xhiroi te Napoli: “Dua t’i zbavis tifozët. Kombëtarja? Dua të kthehem te “axurrët”, ndaj duhet të luaj mirë këtu”.
Amauri është kurioz të dijë si do të jetë e ardhmja juventine, të mësojë para së gjithash nëse ishte vërtet ai problemi. Nëse kundërshtimet e tifozëve ndaj tij ishin vërtet arsyeja, edhe pse vazhdon, “edhe vjet kishte kundërshtime”.
Por tani kërkon të përqendrohet te skuadra verdheblu: “Duhet të shikoj përpara, gjërat e tjera duhen parë në të ardhmen, sepse gjithsesi mbetem një futbollist i Juventusit, por që tani e tutje do të flas vetëm për Parmën”. Amauri është shumë kritik mbi paraqitjet e tij dhe mbi fillimin e tij të sezonit, por pranon që, “këtë vit kam pasur shumë dëmtime.
E nisa shumë mirë dhe shpresoja që këtë vit të ishte ai i revanshit. Tani kam në mendje vetëm Parmën dhe që nesër (sot) nëse trajneri do të më zbresë në fushë, do të përpiqem të ndihmoj skuadrën dhe të zbavis tifozët”. Kapitulli kombëtare:
Amauri nuk heq dorë, është grumbulluar nga Prandeli dhe e di që duke u kthyer lojtari i niveleve të para, mund t’i ribashkohet grupit “axurr”: “Besoj se kjo është skuadra e duhur, klubi dhe qyteti i duhur për të rigjetur formën dhe për t’u kthyer në kombëtare”.