Sipas mediave italiane, Arsene Wenger dhe Fabio Capello janë dy emrat e fundit të cilët i janë bashkuar listës së dëshirave të Juventusit për stolin e trajnerit.
Juve pritet të bëjë një ristrukturim të madh në fund të këtij sezoni mjaft dëshpërues, të cilin e filloi me synime për të fituar titullin, ndërsa tash rrezikon edhe pozitën e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Në janar Zonja e Vjetër zëvendësoi trajnerin Cirro Ferrara me Alberto Zaccheroni, i cili u caktua si zgjidhje e përkohshme deri në fund të sezonit. As ky ndryshim nuk solli pozitivistet te biankonerët dhe Zaccheroni pritet të zëvendësohet në fund të sezonit.
Derisa tash janë përmendur një varg opsionesh për stolin drejtues të Juventusit, mes të cilëve edhe Rafael Benitez, Lorent Blanc, Roberto Mancini dhe Cesare Prandelli.
La Gazzetta dello Sport shkruan se në listën e dëshirave tash është shtuar edhe Arsene Wenger. Spekulohet se Juve ka kontaktuar me Wenger edhe verën e kaluar, por atëherë kishte pasur dallime të mëdha financiare.
Corriere dello Sport në anën tjetër shkruan se biankonerët do të përpiqen ta rikthejnë në ekip Fabio Capellon, pasi ai të përfundojë punën me kombëtaren e Anglisë në kampionatin botëror Afrika e jugut 2010.