Avokatët e Moxhit: Të rihapet gjyqi sportiv
Ish-drejtuesi i Juventusit kërkon rishqyrtimin e vendimeve të marra në vitin 2006: Interi po mbulohet
Një thirrje e re ka filluar të dëgjohet pas përgjimeve telefonike që janë zbuluar këto ditë në lidhje me “Calciopoli”-n: “Të ribëhet gjyqi sportiv”. Këtë e kërkojnë tifozët e Juventusit, por mbi të gjithë avokatët e protagonistëve të kësaj çështjeje. Në veçanti ata të Luçiano Moxhit, sipas të cilëve, “ky është vetëm fillimi”. Por avokati i Juventusit, Çezare Zakone, qëndron me këmbë në tokë, në pritje për një rikthim të mundshëm në sallën e gjyqit. “Për përgjimet e reja kam dëgjuar vetëm të flitet, por nuk më ka rënë akoma në dorë dokumentacioni. Do të duhet ta gjej këtë dokumentacion në rast se, siç besoj, Juventusi do të më kërkojë një mendim në lidhje me një rihapje të mundshme të gjyqit”, ka thënë avokati i bardhezinjve. Por është akoma herët pë të kuptuar diçka:
“Nëse këto përgjime do të tregojnë përgjegjësitë e klubeve të tjerë, mua nuk më hyjnë shumë në punë sepse Juventusi mbetet gjithsesi i përfshirë, sepse të gjithë i telefononin përcaktuesve të arbitrave dhe kjo është një shkelje e rregullave. Gjithsesi, do të ndryshonte konteksti i atyre fakteve, do të kishte një vlerësim të ndryshëm për situatën e përgjitshme në të cilën ndodheshin të gjitha klubet e futbollit. Mendoj se edhe ndëshkimi mund të kishte qenë më i butë”. Më shumë agresivë, siç pritet, avokatët e Moxhit.
“Eshtë një përdorim dinak i telefonatave që janë bërë me ish-përcaktuesin e arbitrave Bergamo. Duhet të kujtojmë se Moxhi është ndëshkuar për “shkelje strukturore”. Një çështje e ndërtuar në mungesë të një shkeljeje të vërtetë sportive (neni 6), duke u bazuar tek neni 1 i kodit sportiv, ose më saktë tek shkelja e principeve të korrektësisë sportive, që për gjykatësit përfaqësoheshin nga telefonatat me përcaktuesit e arbitrave. Tani, ajo që duket se po del qartë nga faktet e reja është se, pavarësisht nga përmbajtja e telefonatave, edhe drejtuesit e tjerë kanë patur marrëdhënie jashtë skemave me ta, duke shkelur kështu nenin 1.
Një shkelje që dyfishohet nga fakti se këto telefonata, të pafajashme ose të turpshme që mund të jenë, janë fshehur nga protagonistët për gjithë këto vite. Nëse të flasësh me përcaktuesit e arbitrave është një shkelje për Moxhin duhet të jetë kështu edhe për të tjerët”, ka shpjeguar avokati i ish-drejtuesit juventin, Paolo Rodela. Domethënë, parashikohen ditë të nxehta në gjyqin që do të zhvillohet në Napoli javën e ardhshme, kur, më 13 prill, është parashikuar të zhvillohet seanca e radhës.
Avokati Prioreski - “Përgjimet e reja, shkelje ndaj nenit 1″
Përgjimet e reja që janë publikuar këto ditë nga shtypi italian dhe që kanë të bëjnë, në veçanti, me telefonata të bëra midis drejtuesve zikaltër dhe ish-përcaktuesve të arbitrave, mund të shtyjnë avokatët e Moxhit të kërkojnë një rihapje të gjyqit. “Nëse, - ka shpjeguar avokati Maurilio Prioreski, - analizojmë qëndrimin e presidentit të Interit, është e pamohueshme se Morati ka heshtur në lidhje me marrëdhëniet e tij me Bergamon, duke mohuar edhe tani se ka patur kontakte me të.
Përgjimet thonë të kundërtën dhe përbëjnë një shkelje të nenit 1, atë që ka lidhje me korrektësinë sportive. Duke e mohuar, Morati nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka përkeqësuar shkeljen e tij”. Avokatët e Moxhit mendojnë kështu, se është e mundur të hapet një gjyq sportiv për Moratin për shkelje të korrektësisë sportive që mund të sjellë edhe heqjen e kampionatit 2005-2006, që i është dhënë në tavolinë Interit para katër vitesh.
Ish-gjyqtari anësor ka thënë se drejtuesit zikaltër i kanë kërkuar të ndryshojë raportin pas ndeshjes - Kopola: Faketi hynte në dhomat e zhveshjes
Çdo ditë që kalon dalin përgjime të reja të zbuluara nga avokatët mbrojtës të Luçiano Moxhit midis 170 mijë telefonatave që janë hetuar katër vite më parë dhe që janë konsideruar pa interes nga hetuesit që kanë punuar në skandalin “Calciopoli”. Në këtë klimë “nervozizmi”, ku po shtohen zërat e atyre që kërkojnë të rishqyrtohet dënimi që i është dhënë Juventusit pas zbulimit të përgjimeve të reja, rolin e luanit e bëjnë natyrisht gazetat e Torinos, nga të parat që kanë publikuar përgjimet telefonike dhe që mbështesin hipotezat për rihapjen e gjyqit sportiv që kanë sjellë penalizimin e skuadrës bardhezi dhe heqjen e kampionateve të fituar, një prej të cilëve i është dhënë Interit. Ish-arbitri anësor Kopola, ka konfirmuar se të gjithë drejtuesit e klubeve të Serisë A, pa përjashtim, bënin presione ndaj arbitrave: “Inter-Venecia 2-1, 16 shtator 2001. Rozeti, arbitri i takimit, unë një nga asistentët.
E kam thënë edhe në gjyqin e Napolit dhe e përsëris edhe tani. Përjashtohet Kordoba me kartonin e kuq pas një goditjeje me grusht ndaj Betarinit. Një grusht që, në raportin e arbitrit duhet të kthehej në një gjest të thjeshtë në përpjekjen për t’u liruar nga kundërshtari…”. “Kështu funksiononte, - ka shpjeguar Kopola. - Dikush telefononte, përcaktuesit e asaj kohe (Bergamo dhe Paireto) ndikoheshin nga presionet dhe loja ishte e mbaruar. Pas ndeshjes ka hyrë në dhomat e zhveshjes së arbitrave Faketi dhe na ka thënë se kishim gabuar duke mos dhënë një penallti për Interin dhe në nxjerrjen me karton të kuq të Kordobës.
Nëse do ta kisha ndryshuar raportin tim, mbrojtësi nuk do të ishte pezulluar për dy ndeshje, por unë nuk ndryshova asgjë dhe nuk kam punuar më si arbitër anësor në Serinë A…”. Ish-arbitri ka treguar më pas një prapaskenë tjetër: “Kur jam takuar me hetuesit kam mbetur i befasuar nga qëndrimi i tyre. Dukej se kjo çështje nuk i interesonte ndoshta sepse ajo që po tregoja nuk shkonte në drejtimin që kishin ndërmarrë ata. Kanë kaluar gjithçka shumë shpejt duke thënë se ndaj Interit nuk kishin përgjime telefonatash. Sot paska? Nuk jam i befasuar. Tani flitet për Interin, por këtë e bënin të gjithë drejtuesit e skuadrave të tjera”.