Përpara Inter-Juve
Faketi, Maceit: Zgjidhi mirë asistentët
Pas çdo dite që kalon, po bie miti se Interi ishte viktima e “Calciopoli”-t. Zikaltërit, ashtu sikurse edhe Milani e disa klube të tjera, ishin të përlyer në skandalin që tronditi futbollin italian tri vjet e gjysmë më parë. Kjo konfirmohet nga një tjetër regjistrim, i publikuar nga avokatët e Luçiano Moxhit. Më 25 nëntor 2004, Xhenaro Macei, zyrtari që përcaktonte asistentët e ndeshjeve, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin e Interit, Xhaçinto Faketi, i cili është ndarë nga jeta në shtator të vitit 2006. Tri ditë pas asaj telefonate, më 28 nëntor, do të luhej Inter-Juventus. Faketi i kërkoi Maceit t’i zgjidhte mirë vijërojtësit: “numri 1 dhe numri 2, mendoj Ivaldi dhe Pisakreta”, ishte siguria që drejtuesi i klubit zikaltër mori nga zyrtari. Ish-presidenti i Interit këmbëngul që edhe si gjyqtar i sfidës të përcaktohej “numri 1”, sipas gjasave duhej të ishte Pierluixhi Kolina. Por, Macei u shfaq skeptik, pasi “shortin për arbitrit e hedh një gazetar”. Arbitër u vendos Paskuale Rodomonti, ndërsa Kolina drejtoi Kievo-Milan, për të plotësuar dëshirën e mikut të tij, Meani. Faketi i dinte asistentët e ndeshjes, përpara se ata të përcaktoheshin dhe në këtë mënyrë përgënjeshtrohet legjenda se Interi penalizohej nga sistemi i Moxhit.