Dyshime për korrupsion në prag të gjyqit të sotëm në NapoliNdërsa drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) po bëjnë të pamundurën që të shpjegojnë se ekziston një dosje hetimesh për “Calciopoli 2” dhe se aty ekziston një datë, për të evituar heqjen e akuzave për veprime të paligjshme, për shkak të tejkalimit të kufijve kohorë, është publikuar një tjetër prapaskenë. Vetëm pak orë përpara gjyqit të sotëm në Napoli, këshilltari sportiv i Luçiano Moxhit, Nikola Penta (i cili ka dëgjuar 50 mijë telefonata), ka hedhur dyshime për korrupsion në skandalin e futbollit italian. Mes telefonatave të përgjuara, një president klubi kontakton njërin prej zyrtarëve të federatës që përcaktojnë gjyqtarët (disenjatorët) dhe i thotë: “Kalo nga shtëpia e aksionerit më të madh të klubit tonë, se do të japë një dhuratë”. Pasi zbuloi regjistrimin, Penta deklaroi: “Tashmë dua të shoh nëse gjatë dëgjimit të këtyre telefonatave do të vazhdojnë të thonë se faktet e parashtruara aty janë të parëndësishme nga pikëpamja sportive dhe penale”. Problemi kryesor i hetimit sportiv ka qenë dhe mbetet fakti se në “Calciopoli”-n e vitit 2006 nuk u përfshinë të gjitha telefonatat. Por, nëse për akuzat e publikuara deri më tani dhe ato që priten të paraqiten në sallën e gjyqit, nuk do të merren masa, për shkak të kalimit të afatit kohor, pritet një reagim i ashpër i opinionit publik. Kjo, pasi trajtimi i ngjarjeve nuk do të ishte i barabartë. Gjatë kësaj kohe në Itali po kërkohet edhe politikisht që “Calciopoli” të rishikohet dhe Interit t’i hiqet titulli i fituar pas ndëshkimeve të Juventusit e Milanit.
Kjo pritet të jetë një javë e zjarrtë. Gjyqi i Napolit, ku FIGC përfaqësohet si palë civile, mund të japë elementet e nevojshme për të hapur një hetim të dytë sportiv. Në qendër të debatit dhe të polemikave rreth telefonatave të transkriptuara nga avokatët e Luçiano Moxhit, mes klubeve të tjerë ndodhet edhe Interi: zikaltrit fituan në tavolinë titullin e vitit 2006, duke përfituar nga dënimi i Juventusit. Përpara se të bëjë lëvizje konkrete rreth provave më të reja, federata ka zgjedhur që të presë të martën. FIGC ka theksuar se “deri më tani, organi hetimor i federatës nuk ka bërë asnjë veprim, por vetëm po grumbullon materialet: shkrime gazetash dhe deklaratat e bëra gjatë këtyre ditëve do të shërbejnë për të përcaktuar një datë nga ku do të fillojnë hetimet, në mënyrë që personat e implikuar të mos shpallen të pafajshëm, duke përfituar nga kalimi i afatit kohor”. Në pritje të vendimeve, polemikat vazhdojnë. Presidenti i Sienas, Masimo Mexoroma, tha: “Nëse ekzistojnë fakte të vërteta, që konfirmojnë se rezultati i ndeshjeve është trukuar, detyrimisht gjyqi duhet të rihapet”. Administratori i Milanit, Adriano Galiani, mendon se “Calciopoli” është shkaku që Italia ka rënë në renditjen e UEFA-s dhe se Seria A rrezikon të humbasë një skuadër në Champions: “Një nga efektet e skandalit ishte rënia në renditje. Tani është thuajse e sigurt që Gjermania do të kalojë përpara Italisë”. Mes zërave kundër rihapjes së gjyqit është trajneri i Katanias, Sinisha Mihajloviç: “Të gjitha që po diskutohen janë budallallëqe; argumente që vetëm sa nxisin polemikat. Kjo që po ndodh ma shpif”.