21 shkurt 2011

Kriza Juventus, Delneri pranë shkarkimit

Humbja e turpshme 2-0 ndaj Lecce-s ka bërë që qëndrimi i Gigi Delneri-t në stolin e Juventusit të vendoset në dyshim të thellë.

Disfata ishte veçanërisht e rëndë, pasi fitorja ndaj Interit ngjalli një grimë shpresë për fillimin e një serie rezultatesh pozitive, që do të rikthehenin bardhezinjtë në garë për një vend në Champions League.

Presidenti Agnelli ka vendosur që të mos ndjekë politikën e një viti më parë, kur disa trajnerë u ndërruan brenda vitit, por është e qartë që edhe durimi i pinjollit të familjes që drejton pre dekadash Juventusin, ka një kufi.

Nëse paraqitjet e skuadrës në fushë nuk do të pësojnë një transformim në 12 javët e mbetura deri në fund, atëherë është e sigurt që Delneri nuk do të vazhdojë sezonin e ardhshëm.

”Nuk jemi të mëdhenj”, ishin fjalët e para të trajnerit në konferencën për shtyp pas Lecce-s, vetëm një javë përpara se ai kishte thënë se “ishin të mëdhenj”, pas fitores me Interin.

Një skuadër e motivuar dhe pa ide, pa se si Lecce luajti shumë më mirë, ndërsa në kuotën e 41 pikëve, bardhezinjtë janë tani shtatë pikë prej objektivit të tyre minimal sezonal, që është vendi i katërt.

Nëse kriza do të vazhdojë, atëherë rriten vazhdimisht shanset që Luciano Spalleti të shndërrohet në trajnerin e ardhshëm të klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit italian.