19 shkurt 2011

Ekipi i katërt në Champions, Bundesliga kalon Serinë A

Pas ndeshjeve të para të 1/8-ave në Ligën e Kampionëve dhe të 1/16-ave në Ligën e Evropës, Gjermania me 67436 pikë kapërcen Italinë (59981). Dy vendet e para sërish për Anglinë (81928) dhe Spanjën (76615).

Pas kësaj renditjeje provizore, me fillimin e sezonit 2011-2012, Gjermania rrezikon edhe Spanjën. Iberikët kanë humbur nga sezoni 2006-2007 në total 9500 pikë ndaj Gjermanisë në pesë vitet e fundit.

Italia mund të arrijë maksimumin 68267 pikë, por për këtë duhet që katër ekipet, Interi, Milani, Roma dhe Napoli t’i fitojnë të gjitha ndeshjet e tyre.

Por me dy fitore dhe një barazim në ndeshjet e mbetura të katër skuadrave gjermane, Bajern Mynih, Shalke 04, Bajer Leverkusen dhe Shtutgart, Bundesliga e ka të sigurt vendin e tretë.

Kështu, në sezonin 2012-2013 Gjermania do të përfaqësohet në Champions me katër ekipe: 3 direkt +1 në kualifikuese. Për herë të fundit kjo ka ndodhur në sezonin 2001-2002.