Një nga të akuzuarit kryesorë të skandalit “Calciopoli”, ish-gjyqtari Masimo De Santis, akuzon direkt administratorin e Milanit, Adriano Galiani. Sipas tij, ai ishte “kapoja” i arbitrave dhe i adresonte ata sipas qejfit. “Tani të gjithë habiten, por këto gjëra ne të tjerët i kemi deklaruar prej kohësh, sepse ishte vetë federata ajo që stimulonte kontaktet ndërmjet arbitrave dhe klubeve. Madje, asaj kohe u hodh edhe ideja që arbritrat të stërviteshin pranë qendrave stërvitore të klubeve, – shpjegon De Santis. – ‘Calciopoli’ u shpik për të ndëshkuar disa persona si Moxhi, Xhiraudo, Bergamo, Paierto dhe disa arbitra. Por këta njerëz kanë vepruar siç vepronin të tjerët. Kush? Morati për shembull, por edhe ish-kolegu im, Kolina. Përgjimet e fundit po tregojnë se të gjithë vepronin njësoj. Për shembull, ajo telefonatë e Kolinës me Meanin është më e rëndë se e imja. Vetë Kolina i kërkon Meanit të flasë me ‘kapon’ domethënë, me Galianin. Për mendimin tim, në këtë mes nuk ka asnjë fajtor, të gjithë jemi të pafajshëm. Procesi sportiv ka qenë një farsë, që u mbyll brenda muajit, pa na lejuar të vetëmbroheshim. Për mua, ky proces duhet ribërë nga e para. Unë jam dënuar për ndeshjen Leçe-Parma, 3-3, kur vetë trajneri i Leçes, Zeman, deklaroi se kam arbitruar shumë mirë”.
Telefonatat
Më pas, ish-gjyqtari De Santis flet mbi raportin e tij me Moxhin: “Ekzistojnë disa telefonata, gjatë të cilave Moxhi më ofendon edhe nga nëna, për shkak të pikëve që, sipas tij, ia kisha mohuar unë Juventusit, ndërkohë që unë akuzohem sikur kam favorizuar Juven”. Për De Santisin, arbritrat gabonin, por jo qëllimisht: “Ne gabonim, por jo me qëllim. Për shembull, edhe tani arbritrat gabojnë, mirëpo kjo ndodh ngaqë nuk janë të përgatitur. Ne asokohe ishim më të zotë, edhe pse kishim presion të madh mbi shpatulla”. Ish-”xhaketa e zezë” pohon se Juventusi i ka merituar në fushë titujt 2004-2005 dhe 2005-2006, si rrjedhojë ata u duhen kthyer bardhezinjve: “Atëherë Juventusi ishte skuadra më e fortë. Pastaj vinte Milani. Interi ishte pas tyre, edhe pse në superkupën e vitit 2005 mundi Juventusin në finale dhe si për çudi, atë ndeshje e arbitrova unë, që akuzohem si një mbështetës i bardhezinjve”, ka përfunduar ish-arbitri De Santis.