03 prill 2010

Del Piero: Na riktheni titujt

Kapiteni i Juventusit: Kalendari është i vështirë, por ne duam vendin e katërt

Aleks del Piero nuk ka dyshime dhe dërgon mesazhe të qarta: “Titujt që na janë hequr? Unë shpresoj se do të na rikthehen sërish. Ne e ndiejmë se janë tonët”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tifozëve në televizionin “Juventus Channel”, kapiteni i Juves lëshon më pas një mesazh: “Do të japim maksimumin për të arritur vendin e katërt. Mendoj se mund t’ia dalim”.

E ardhmja - Aleks e fillon diskutimin e tij me tifozët paksa me vonesë: skuadra ka festuar ditëlindjen e Zakeronit (dje ka fikur qirinjtë edhe Xhohn Elkan). Pyetja e parë është: për sa kohë do të vazhdojë të luajë Aleks? “Nëse koka ime dhe këmbët e mia do të ma lejojnë, dëshiroj të vazhdoj të luaj akoma edhe për disa kohë në nivelet e larta. Për sa i përket karrierës sime e ruaj me shumë krenari atë vit të luajtur në Serinë B. Por po presim momentin që të buzëqeshim sërish, shpresojmë të ndodhë vitin e ardhshëm”.

Dëmtimi – Sezoni i Juves është për t’u harruar. Çfarë do të ndryshonte Del Piero, nëse do të mundej të rikthehej prapa në kohë? “Dëmtimi: më ka rrëmbyer tre muajt e atij fillimi. Më ka marrë shumë energji dhe nuk më ka lejuar të jem vetvetja”. Në lidhje me çështjen Baloteli thotë vetëm disa fjalë: “Vihem në vështirësi kur më duhet të shpreh opinione mbi gjëra që nuk i njoh mirë. Ndoshta nuk e kam shumë të qartë si, është një çështje delikate, e cila besoj se do të zgjidhet me kalimin e kohës”.

Botërori – Tifozët bardhezi do të dëshironin ta shikonin në Botëror me bluzën “azzurra”: “Grumbullimi është një vazhdimësi e asaj që dikush paraqet në kampionat. Përqendrimi im është ekskluzivisht në lidhje me skuadrën time. Pastaj zgjedhjet e trajnerit të Kombëtares shpresoj të jenë sa më të drejta për Italinë dhe shpresoj që të jem pjesë e saj. A do të fitojë sërish Italia? Është shumë e vështirë, duhet të jetë gjithçka perfekte në atë një muaj e gjysmë. Por Italia e ka potencialin për t’ia dalë”.

Calciopoli – Çështja “Calciopoli”: “Është një plagë dhe është një argument shumë i gjerë. Efektivisht, gjatë muajve të fundit po dalin në pah artikuj dhe deklarata që të bëjnë të mendosh se ka akoma shumë gjëra të pazbuluara. Por na duhet t’u përmbahemi fakteve për momentin. Gjithsesi unë uroj që ata tituj, të cilët na i hoqën, të na i rikthejnë, të na njihen në nivel global dhe jo vetëm sepse ne i ndiejmë që janë tanët”.

Sezoni dhe dëmtimet – Juves nuk i ka mbetur tjetër veçse të tentojë të fitojë vendin e katërt në klasifikim: “Tashmë objektivi ynë primar është të synojmë vendin e katërt në klasifikim. Ke dëshirë ta arrijmë. Nuk është e thjeshtë, sepse nuk kemi një kalendar të lehtë. Pastaj do ta vendosë fusha”. Në këtë sezon kanë mbizotëruar dëmtimet: “Dëmtimet janë pjesë e zanatit tonë. Por është e vërtetë se gjatë këtij viti e kanë kushtëzuar paksa sezonin tonë. Është diçka me të cilën po merremi, që vitin e ardhshëm të mos na ndodhë e njëjta gjë”. Me apo pa Champions do të jetë gjithnjë një Del Piero i vendosur: “Vitin e ardhshëm do ta përballoj me të njëjtin pasion dhe të njëjtën dashuri për futbollin. Impenjimi dhe entuziazmi do të jenë maksimal, pavarësisht se si do shkojë ky vit. Do të jem i karikuar si gjithmonë”.

Udineze – Dje ishte 1 prilli, një tifoze i kërkon t’i bëjë një gol Udinezes të shtunën: “Shpresoj edhe unë. Shpresoj të marrim tri pikët. E përjetojmë me një zhgënjim të madh momentin e Juves, nuk prisnim që në fund të sezonit të ishim në këtë situatë. Prisnim gjëra të tjera më të mira. I kemi kartat në rregull për të synuar objektivin tonë aktual”.

Zakeroni - Del Piero e vlerëson shumë Zakeronin: “Impakti i tij ka qenë pozitiv. Është një person me vlera dhe një trajner i madh. Është i dashuruar me profesionin e tij dhe kjo duket nga gjithçka që ai bën. Këto janë gjërat më të rëndësishme. E ardhmja? Nuk jam unë ai që vendos. Vëmendja jonë i dedikohet të tashmes. Për të ardhmen vendos klubi, ndoshta do të jetë sërish me Zakeronin...”.