
Ish-caktuesi i arbitrave kujton se si gjatë sezonit 1999-2000, ekzistonte një “Listë e zezë ndaj arbitrave”: “Asaj kohe Juventusi nuk donte të gjykohej nga Bolonjinjo, Cezari, Farina dhe Rakalbuto, ndërsa Lacio refuzonte Kolinën, Pelegrinon, Treosin dhe Bazalin. Gjatë këtij sezoni edhe Roma kishte listën e saj të arbitrave të padëshiruar, në të cilin ishin emrat e Mesinës, Pelegrinos, Tombolinit dhe Rosetit. Por Interi ishte skuadra që kishte listën më të gjatë. Në radhë të parë, zikaltërit nuk donin të gjykoheshin nga De Santis, Mesina, Rodomonti, Trentalanxhe, Treosi, dhe nga tre arbitra internacional si Pelegrini, Rakalbuto, Tombolini”.
Kujtojmë që nga këta arbitra, vazhdon të jetë në aktivitet vetëm Roseti i cili nuk pëlqehej nga Roma. Më tej Paolo Bergamo shpjegon se ka evituar që të gjitha klubet të mos arbitroheshin nga gjyqtarët që kishin në listën e zezë: “Unë dhe asistentët e mi kishim të drejtë të evitonim përfshirjen e një arbitri të padëshiruar në vazon që përmbante emrin e klubit që nuk e donte këtë gjyqtar. Me këtë lëvizje, ne evitonim që për shembull De Santis të drejtonte Interin, apo Roseti Romën.... e tjerë e tjerë. Kjo formë quhej rikonstruktim. Dhe aplikohej shpesh herë kur hidhej shorti. Por asgjë nuk ishte e “trukuar” – garanton Paolo Bergamo – dhe për këtë që them jam gati të ftoj edhe noterët të dëshmojnë në Gjykatën e Napolit”.