08 prill 2010

Abete premton hetim të Calciopolit

Kryetari i federatës italiane të futbollit (FIGC), Giancarlo Abete, ka premtuar se do të marrë parasysh faktet e fundit të ofruara në lidhje me skandalin më të madh në futbollin italian dhe se do të shqyrtojë rihapjen e gjyqit.

“Ne natyrisht se do të flasim për këtë, pa kurrfarë dyshimi, pasi që ky është roli im si president”, tha Abete për Il Corriere dello Sport.

Ndërsa presidenti i shoqatës italiane të futbollistëve (AIC), Sergio Campana, thotë se nuk do të ketë rihetim të Calciopolit.

“Asgjë nuk është rihapur. Calciopoli i ri? Ju lutem…”, i tha ai shtypit.

Kështu, sipas pohimeve të fundit, federata italiane është duke e menduar mundësinë e rihapjes së gjyqit të Calciopolit pas dëshmive të reja të ofruara në gjykatën e Napolit, për telefonatat e Massimo Morattit me dizejnatorin e Calciopolit, Paolo Bergamo, që atëherë ishte kreu i gjyqtarëve italian.