Ervin Skela ka debutuar fundjavën që shkoi për Tus Koblenz, në barazimin kundër Ahlen. Trajneri Uwe Rapolder ndihet i zhgënjyer me këtë barazim, por edhe me rezultatet në përgjithësi dëshpëruese të këtij ekipi gjatë këtij sezoni.
Ai po e kërkon rrugën për të dalë nga kjo krizë dhe nga fundi i tabelës. Nga nëntë ndeshje, Koblenz ka grumbulluar vetëm gjashtë pikë. Rapolder po e shikon zgjedhjen më të mirë që klubi mos ta përsërit sezonin e kaluar, kur ishte duke rënë nga Bundesliga 2. Por, ai ka kërkuar kontribut më të madh tek të gjithë futbollistët, duke shtuar se Ervin Skela i vetëm nuk mund të bëjë asgjë.
“Ai i vetëm nuk mund t’i vendosë ndeshjet”, tha Rapolder, i cili llogarit edhe në lojtarët tjerë si Shefki Kuqi, Matej Mavric, Benjamin Lense e Melinho. Mirëpo, është fakt se 51 vjeçari e konsideron Skelën si kokën e ekipit. “Ekipi më ka përcjellë gjatë gjithë lojës me Ahlen. Unë kam bërë shumë për ekipin”, tha mesfushori shqiptar përkundër barazimit 1:1 në shtëpi.