31 tetor 2009

Tirana tregon veten, Vllaznia zhytet në “zi”

U ka mjaftuar një gol bardhebluve për të parë nga kreu, ndërsa shkodranët dorëzohen në kampionat
Tirana tregon veten, në krizë mbetet Vllaznia

Vllaznia ‑ Tirana 0‑1
Shënues: Muzaka 28′

Vllaznia: Grima, Smajli, E.Beqiri, Mrvaljeviç, Doçi (Hallaçi 46′), Kasapi (Leandro 81′), Nallbani, Rustemi, Shtubina, Bala, Sinani. Trajner: R.Luçi.

Tirana: B.Nallbani, Bici, Pashaj, Lila, Ahmataj, Abraham, Karabeci, Devolli, Muka (Sefa 85′), Muzaka (Lilaj 67′), Memelli (Malindi 89′). Trajner: A.Tafaj.

Gjyqtarë: B.Pashaj, E.Doda, E.Biçaku (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Sinani, Mrvalejviç, Pashaj

“Radiografia”

10′- Aksion i Tiranës. Muka shërben për Abrahamin në hyrje të zonës së Vllaznisë, që gjuan fort me të majtën, por jashtë kuadratit të Grimës.
22′- Eshtë Bala që kërcen brenda zonës mbi mbrojtjen bardheblu, gjuan me kokë, por pa rrezik për portën e Nallbanit.
23′- Rast i rrezikshëm në portën e kampionëve, Mrvajleviç kroson drejt zonës, aty ku Sinani me kokë gjuan, por largon rrezikun Nallbani i vëmendshëm.
27′- Krosim mjaft i bukur i Ahmatajt për Muzakën, që përballë portës shkodrane gjunjëzon Grimën dhe shënon një gol mjaft të bukur. 0-1 për Tiranën.
32′- Shtubina hyn në zonën bardheblu me topin në zotërim, i shpëton mbulimit të Devollit, por në momentin e fundit ia largon topin në korne Pashaj.
35′- Memelli gjuan fort dhe bukur nga distanca, por topi kalon ngjitur me shtyllën e djathtë të Grimës.
37′- Kasapi pason saktë për Sinanin, që del i vetëm përballë Nallbanit, por ky i fundit e ka neutralizuar gjuajtjen e sulmuesit shkodran.
43′- Gjuan Sinani në hyrje të zonës, por “sfera” devijohet dhe përfundon në duart e “Tatës”.
48′- Kros i Shtubinës në zonë për njërin prej shokëve të tij, por më parë ka ndërhyrë mbrojtja e Tiranës që ka larguar rrezikun.
56′- Kros në zonë për Mrvajleviçin, që përballë katërkëndorit bardheblu gjuan në mënyrë të gabuar.
57′- Shtubina provon nga distanca me të djathtën, topi shkon drejt e në duart e portierit Nallbani.
76′- Kroson kapiteni Muka për Bicin, që ka lënë mbrojtjen dhe ka ardhur në ndihmë të sulmit, por është zënë në pozicion jashtë loje.
78′- Sinani, i ndodhur brenda zonës së Tiranës, i mbuluar aty nga një fanellë mike, jep asist për Kasapin, që përballë portës gjuan, por jashtë kuadratit të mbrojtur nga Nallbani.
90′- Bala provon me kokë i gjendur brenda zonës, por pa rrezik për portën e Tiranës.

Komenti

Vllaznia humbet edhe në Shkodër dhe i rëndon së tepërmi pozitat e saj në renditje. Ndaj një Tirane shumë të kujdesshme, shkodranët nuk kanë mundur të shënojnë asnjë gol dhe për rrjedhojë janë dorëzuar ndaj golit të Muzakës në pjesën e parë, i ardhur si meritë e një gabimi të pafalshëm të vetë atyre. Vllaznia u duk se kishte hyrë në fushë e karikuar për të arritur me çdo kusht fitoren, sepse pozitat e saj në renditje nuk ishin aspak të mira. Nga ana tjetër, Tirana luan vetëm me Memellin në sulm, duke pasur pranë edhe Muzakën në krahun e djathtë. Loja nis më mirë për vendësit, që kërkojnë të shohin shpejt drejt portës së Nallbanit. Trajneri Luçi ka bërë disa ndryshime në formacion për këtë ndeshje, për t’i dhënë më përparësi lojës në mesfushë, megjithatë edhe me Rustemin e Nallbanin në qendër, sërish sulmi ka pasur pak topa në dispozicion.
Ka ndodhur kështu, edhe sepse Shtubina, që dallohet për inkursionet e tij në të majtë, mbulohet mjaft mirë nga Lila gjatë gjithë kohës. Kur dukej se presioni i vendësve do të shtohej, vjen goli i miqve. Ahmataj nis një top të gjatë diagonal për Muzakën, që shfrytëzon një vendosje jo të mirë të Shtubinës, i ikën mbulimit të tij dhe përballë Grimës shënon. Një gol që do të vendoste fatet e ndeshjes. Me gjithë përpjekjet e Vllaznisë për të barazuar, ajo nuk ia arrin, sepse Tirana mbrohet mirë.
Pjesa e dytë nis me një zëvendësim të shkodranëve, ku Doçi ulet në stol dhe në vend të tij është Hallaçi, por sërish krahu i majtë nuk shtyn aq sa duhet përpara. Eshtë sërish e njëjta lojë me topa të gjatë në zonën bardheblu dhe shtatlartët e qendrës Bici e Pashaj janë në lartësinë e duhur. Kuqeblutë në 2‑3 momente i afrohen ndjeshëm golit, por nuk ia arrijnë dhe në fund në “Loro Boriçi” ka rënë “zija”. Ka vetëm akuza ndaj lojtarëve dhe stafit, njëkohësisht zhgënjim të madh te të gjithë.
Vllaznia sërish në vend të fundit dhe tashmë gjërat vështirësohen edhe më tepër. Ndërkohë, Tirana nuk është sjellë si një kampione dje, por si një skuadër që ka dashur pikët maksimale dhe ia ka dalë t’i marrë, duke vazhduar rrugën e saj drejt kreut, ndërkohë që Vllaznia do të ketë sërish probleme në të ardhmen. Eshtë për të ardhur keq për Vllazninë, por tani i duhet të luftojë për të mos rënë nga kategoria, edhe pse asnjë nuk vinte bast që ajo të bjerë. Ndeshja e radhës i gjen shkodranët në Korçë, aty ku të gjitha skuadrat e kanë pasur të vështirë të marrin qoftë një pikë. Ndërsa Tirana, pas kësaj fitoreje, ndihet edhe më e qetë, sepse rikthehet në shtëpi, tek gjen Shkumbinin, një kundërshtar që tradicionalisht e ka mundur në Tiranë.

Deklarojnë…

Roland Luçi, trajner i Vllaznisë: “Nuk ma merr mendja se ka shkodran që nuk është mërzitur sonte, prandaj edhe unë jam shumë i mërzitur. Vllaznia humbi sepse nuk shënoi gol, ndërkohë që Tirana një herë shkoi në portën tonë, shënoi një gol dhe mori fitoren. Jam pa gojë sot. Kemi dhënë më të mirën në fushën e lojës dhe të vjen keq që humbet në një mënyrë të tillë.
Vërtet Tirana tani është 7 apo 8 pikë para nesh, por në cilësi, e patë vetë, nuk është aspak më lart se ne. Pësuam një gol të çuditshëm pas një pasimi 50 metra diagonal, një vendosje e gabuar e lojtarit tonë dhe këtu mori fund gjithçka. Gjyqtari nuk pati ndikim në ndeshje, ndërkohë për të ardhmen nuk mund të them asgjë me saktësi, sepse di të them se po luajmë mirë dhe kjo është njëfarë garancie.”
Alban Tafaj, trajner i Tiranës: “Kemi arritur të fitojmë një ndeshje shumë të rëndësishme. Luanim përballë një skuadre shumë të fortë dhe morëm tri pikë shumë të vlefshme. Me këtë fitore do të vazhdojmë në rrugën tonë drejt kreut dhe e them hapur se Tirana do të jetë ndër skuadrat pretendente. Vërtet nuk bëmë ndonjë lojë të bukur, por në këto momente për ne kanë rëndësi pikët më shumë se gjithçka tjetër.”

Të veçanta

- Shumë zhgënjim në fund të ndeshjes te të gjithë shkodranët. Mbi të gjithë te tifozët, që nuk kanë ngurruar të lëshojnë edhe akuza ndaj futbollistëve dhe stafit. Të mërzitur janë shfaqur edhe pjesëtarët e stafit drejtues, të cilët kanë qëndruar mbi 10 minuta në pankinë.
- Tifozët shkodranë të pranishëm në stadium, sa herë që donin të kontestonin lojën e miqve, bërtisnin në kor “Luzi, Luzi”, si për të dashur t’i kujtojnë Tiranës humbjen e turpshme në Kupë.
- Rreth 4 mijë tifozë e kanë ndjekur këtë ndeshje, një numër i vogël ky, duke parë rëndësinë e saj.
- Tribuna VIP e “Loro Boriçit” ka qenë e mbipopulluar. Përveç dy presidentëve, Fushaj e Halili, kanë qenë prezentë edhe shumë personalitete të tjera.

Halili: Më mirë se unë ka folur Tirana

Presidenti i kampionëve, Refik Halili, pa dyshim që është njeriu që i ka qëndruar pranë skuadrës gjatë gjithë këtij sezoni, pavarësisht startit jo të mirë të bardhebluve. Edhe kur ekipi humbiste gjatë javëve të kaluara, në prononcimet e veta ai vazhdonte të besonte te lojtarët dhe gjithnjë ishte i bindur se kjo Tiranë herët a vonë do ta thoshte fjalën e vet në kampionat dhe pa dyshim që do të ishte pretendentja kryesore për titullin kampion edhe këtë sezon. Tashmë po rikthehet Tirana dhe diferenca me rivalët është shkurtuar dhe gjithçka në betejën për titull është e hapur.
Pavarësisht se në përbërje nuk ka më disa nga lojtarët e sezonit të kaluar, rikthimet e Lilës, Muzakës, Memellit dhe liderit të tyre, kapitenit Devi Muka, duket se po e rikthejnë Tiranën si në ditët e saj më të mira. Kampionët nën drejtimin e dyshes Tafaj-Dede, me fitoren e arritur dje në “Loro Boriçi” përballë Vllaznisë, kanë treguar se nuk kanë më kohë për të humbur dhe kanë filluar ngjitjen, drejt kreut të tabelës aty ku i shton për shtat 24 herë kampionëve.
Dje, pas ndeshjes, presidenti i bardhebluve, Refik Halili, natyrisht që ka qenë mjaft i gëzuar, pasi skuadra e tij në fushën e lojës bëri Tiranën e madhe. Vetë Halili i kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, kur kishte vetëm pak minuta që përballja kishte përfunduar, nuk ka dashur të flasë, por është mjaftuar me fjalët: “Momentalisht nuk kam dëshirë të flas pas fitores së arritur në Shkodër.
Më mirë se unë foli Tirana, që arriti një fitore të merituar. Gjithmonë kam pasur besim te kjo skuadër dhe do të vazhdoj që të kem edhe në të ardhmen. Le të flasin protagonistët apo pjesëtarë të tjerë të stafit pas sfidës së fituar me shkodranët,”- është shprehur shkurtimisht pas kryendeshjes së djeshme që u zhvillua në “Loro Boriçi”, presidenti i kampionëve, Refik Halili.

Tafaj: Gjithmonë kam besuar te ky ekip

Për trajnerin e skuadrës së Tiranës, Alban Tafaj, kjo me Vllazninë ishte ndeshja e katërt në krye të stolit bardheblu, pas atyre me Dinamon, Luzin për Kupën e Shqipërisë dhe Teutën javën e kaluar, kur arriti fitoren e parë në krye të kampionëve. Para ndeshjes me Vllazninë, ai kërkoi mbështetjen e madhe të publikut, jo më kot në një ndeshje që përcaktonte sezonin për Tiranën ashtu si edhe për shkodranët.
Por fundi i përballjes ka treguar se kampionët e Alban Tafajt nuk kanë se si t’i thonë “lamtumirë” kaq shpejt luftës për titullin kampion. Tirana ka shënuar e para në “Loro Boriçi”, ka pasur edhe raste të tjera, por që edhe 1-0 i ka mjaftuar dhe tashmë të lë të kuptosh se te kampionët nuk ka më vend për fjalën krizë, që i kishte mbërthyer ata sidomos para sfidës me Teutën. Gjashtë pikë në dy javë radhazi janë maksimumi për bardheblutë dhe trajnerin e tyre, Tafaj.
Ky i fundit natyrisht që pas sfidës së djeshme ka treguar edhe një herë se Tirana është njësoj si ajo e sezonit të kaluar: “E kishim vlerësuar maksimalisht këtë sfidë për vetë momentin deciziv që po kalonin të dyja skuadrat. Përballë patëm një kundërshtar shumë të vështirë si Vllaznia. Ishte një ndeshje decizive në letër e jo më në fushë dhe besoj se kemi dhënë maksimumin e forcave tona, aq më tepër që të gjitha repartet kanë qenë në lartësinë e detyrës.
Ne erdhëm për ta fituar këtë ndeshje dhe ia arritëm qëllimit. Kjo Tiranë po konfirmohet gjithnjë e më shumë si pretendentja kryesore për të fituar titullin, edhe pse ka pasur skeptikë që nuk besonin te forcat tona. Kur kam marrë drejtimin e ekipit jam shprehur se grinta dhe shpirti që japin lojtarët në fushë do të më detyrojnë që t’i përkushtohem akoma më tepër ekipit,”- tha fillimisht trajneri i kryeqytetasve që më pas thuri elozhe edhe për tifozerinë e zjarrtë bardheblu që e mbështeti skuadrën edhe në takimin e zhvilluar në Shkodër.
“E kam deklaruar edhe më parë në media, se do të jetë edhe publiku ai që do të na përkrahë dhe në Shkodër ata treguan se mbeten pa dyshim pjesë e pandashme e Tiranës. Tifozët në ndeshjen me Teutën kanë shprehur atë çka konsistonin në skuadër, mirëpo kjo nuk ka ndikuar në atë përballje, pasi fatmirësisht ne fituam dhe bëmë kthesën. Dje, ata e mbështetën ekipin duke i dhënë asaj më tepër grintë në fushën e lojës dhe jam i bindur se Tirana do të vijë gjithnjë në rritje,”- deklaroi pas sfidës trajneri i Tiranës, Alban Tafaj.

Muzaka: Goli? Merita është e gjithë skuadrës

Gjergji Muzaka duket se e ka kaluar dëmtimin që pësoi në ndeshjen e parë me Stabaekun, e vlefshme për Ligën e Kampionëve zhvilluar në kryeqytet. Pas golit dhe lojës mjaft të mirë ndaj Teutës javën e kaluar, dje në “Loro Boriçi” pa dyshim që ka qenë heroi i ndeshjes, pasi i ka dhënë tri pikët Tiranës. “Normalisht, fitorja e sotme ishte tepër e rëndësishme për ne dhe ndeshja ishte delikate si për Tiranën ashtu edhe Vllazninë. Janë të dy ekipe me traditë të madhe në futbollin shqiptar dhe kanë një emër të madh, pavarësisht krizës në të cilën ndodhen, dhe mendoj se fitorja e njërës prej tyre do ta thellonte edhe më tej krizën te skuadra tjetër.
Për këtë arsye, ishte mjaft i nevojshëm tripikëshi në përballjen e sotme. Tashmë edhe morali ynë është rritur. Mendoj se ne arritëm të marrim tri pikë shumë të rëndësishme në Shkodër, pasi ekipi i Vllaznisë apo gjithë ambienti dhe tifozeria të lënë që të luash futboll të hapur. Për sa i përket shënimit të golit, ishte një koordinim shumë i mirë mes meje dhe Ahmatajt, por nuk është vetëm merita jonë, por e gjithë skuadra në përballjen e sotme bëri një paraqitje shumë të mirë. Lidhur me dëmtimin, kam pasur një shqetësim të vogël edhe para ndeshjes dhe po e mbaj me akull. Shpresoj që të kalojë paq dhe të jem gati për të filluar përgatitjet për ndeshjen e radhës,”- deklaroi mesfushori i djathtë, Gjergji Muzaka.

Ahmataj: Tiranës ia kanë frikën të gjithë

Julian Ahmataj u rikthye në radhët e Tiranës në fillim të këtij sezoni dhe dalëngadalë po bëhet gjithnjë e më shumë i dobishëm për nevojat e skuadrës. Edhe në sfidën me Vllazninë, ai pati meritë të madhe në shënimin e golit, pasi i dha asistin Muzakës. Pas ndeshjes Ahmataj deklaroi: “Tirana do një përkushtim më të madh, sepse është ndryshe nga ekipet e tjera ku kam luajtur. E thënë ndryshe, është simboli i kampionatit shqiptar dhe unë gjithnjë mundohem të jap maksimumin për skuadrën dhe këta tifozë që janë të pranishëm kudo ne luajmë.
Jam i kënaqur kur shoh gjithë këta dashamirës këtu që mbështesin skuadrën dhe patën besim që do të fitonim dhe ia arritëm qëllimit, duke marrë tri pikët. Tirana u rikthye dhe do ta kenë frikë të gjitha ekipet e kampionatit shqiptar. Për sa i përket kundërshtarit, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së sotme, Vllaznia është gjithmonë e fortë, mbi të gjitha ka traditë të madhe në futbollin shqiptar. Rezultatet e dobëta këtë gjendje sjellin, ana psikologjike, me sa pashë, është shumë e rënduar. Dua të theksoj edhe një herë se forca e Tiranës është kjo dhe këtë gjë duhet ta bënim që në fillim të kampionatit,”- theksoi elbasanasi i kampionëve, Julian Ahmataj.