Trajneri bardhezi kujton të shkuarën e tij me skuadrën e kaltër dhe kërkon tri pikët
Me Napolin duhet të jemi të përsosur, i duam patjetër tri pikët. Duhet të kuptojmë nëse fitorja ndaj Sampit ishte fryt i një ndeshjeje të përsosur ose gjithçka ka qenë një rastësi”. Çiro Ferrara karikon Juventusin në prag të sfidës me të kaltrit: “Nuk është e mundur gjithnjë të kesh të njëjtin nivel loje, por duhet gjetur vazhdimësi dhe dëshirë për rezultate. Fitorja me Sampin ishte pa dyshim e rëndësishme.
Ndeshja na dha edhe ne përgjigje pas një periudhe disi të vështirë, pasi kishim nevojë për një paraqitje të tillë. Tani duhet të jemi të zotë ta menaxhojmë këtë situatë. Nuk mund të shënojmë gjithnjë pesë gola, por mendësia nuk duhet të ndryshojë. Ky është një prioritet”. Ferrara analizon më pas kundërshtarin e sotëm: “Napoli, siç tregojnë rezultatet e fundit, është një skuadër që nuk dorëzohet dhe që lufton deri në fund, ndaj rreziku ekziston, - vazhdon Ferrara.
- Në sulm me Kualjarelën dhe Lavecin, kanë cilësi e fantazi”. Çiro kthehet si një ish në Napoli: “Për fat të mirë nuk duhet të luaj… Në Napoli luajta 10 vjet dhe kam pasur fatin të fitoj. Kam kujtime të bukura, por tani jam trajner i Juventusit dhe uroj që ta mund Napolin”. Bardhezinjve do t’u mungojë Sisoko, por rikthehet Tiago: “Kemi treguar se mund të fitojmë, pavarësisht nga mungesat, - shpjegon tekniku juventin. - Në situata emergjence, Tiago mund të jetë i vlefshëm edhe si mesfushor në një modul 4-2-3-1. Luan më mirë në një mesfushë me 3 lojtarë. Aspekti taktik kalon në plan të dytë në krahasim me sedrën, vendosmërinë e tij”.
Trajneri i Juventusit më pas ndalon të flasë për Interin kryesues: “I shënoi pesë gola Palermos, pasi i shënoi aq edhe Xhenoas. Nuk ka asgjë të re, Interi mbetet një skuadër shumë e madhe dhe kundërshatri për t’u mundur”. Më 5 dhjetor është dueli me zikaltrit: “Është shumë shpejt për të folur”, e mbyll Ferrara.