Sulmuesi bardhezi beson se skuadra e tij mund të arrijë shumë lart në këtë sezon
Ka qëndruar tetë muaj pa shënuar, por pasi është zhbllokuar tani duket se nuk do të ndalet më. Amauri në tre ndeshjet e fundit në kampionat ka shënuar katër herë dhe ditën e mërkurë kundër Sampdorias, përveç dygolëshit, ka dhënë edhe një pasim fitues. Tifozët, kur ai ka dalë nga fusha, janë çuar në këmbë, dhe ai i ka falenderuar në këtë mënyrë: “Një natë speciale, kjo ka qenë padyshim ndeshja më e mirë e Juventusit në këtë sezon, - ka thënë ai. - Donim të tregonim diçka, kështu kemi bërë një ndeshje të madhe.
Të gjithë kanë qenë perfektë. Jemi shumë të kënaqur. Duhej vetëm të gjenim vazhdimësinë. Për këtë arsye na duhej një ndeshje e tillë. Dhe tani do ta shijojmë deri në fund”. Por, sulmuesi brazilian ka dashur ta ndajë gëzimin e tij me shokët e skuadrës: “Merita është e grupit, e shokëve të skuadrës, e stafit teknik që ka punuar me mua në këtë periudhë. Interi? Ne mendojmë për veten tonë. Por për një gjë jam i sigurt: me një Juventus në këtë formë do të arrijmë objektivat tanë”.
Katër gola në tre ndeshje dhe Juventusi ka filluar sulmin ndaj titullit kampion. Eshtë një moment i bukur për Amaurin. “Kam patur gjithmonë besimin e trajnerit dhe të shokëve të skuadrës, nuk kam qenë i fiksuar mbas golit”, ka shpjeguar sulmuesi që më pas ka ftuar Juventusin “të vazhdojë në këtë rrugë. Nëse luajmë kështu, mund të arrijmë lehtësisht objektivat që i kemi vënë vetes në këtë sezon”. Amauri nuk beson se rikthimi i tij tek goli ka të bëjë me ndryshimet taktike të bëra nga Ferrara: “Nuk është një çështje skemash, jemi paraqitur mirë edhe kur luanim me dy sulmues. Unë mendoj se është një çështje mentaliteti. Duhet të futemi në fushë me dëshirën për të dhënë maksimumin dhe për të marrë tre pikët”, ka përfunduar sulmuesi bardhezi.