30 tetor 2009

18 muaj burg për sulmuesin Marlon King

Futbollisti i Uiganit është dënuar nga gjykata e Londrës për agresion të dhunshëm ndaj një studenteje
Marlon King është burgosur për 18 muaj pasi i ka thyer hundën një vajze në një klub nate pasi ajo refuzoi ‘flirtimin e tij të neveritshëm’, siç e ka cilësuar ajo. Ish-sulmuesi i Uiganit, i cili po festonte shtatzëninë e së shoqes dhe golin e shënuar disa orë më parë, ishte i rrethuar nga shumë vajza, që argëtonin klientët e klubit londinez Soho Revue Bar, dhjetorin e shkuar. ‘Kur një studente universiteti ishte vajza e radhës që zmbrapsi prekjet e tij, lojtari humbi qetësinë dhe duke dalë nga kontrolli e përplasi atë në dysheme.
Grushti i tij ishte aq i fortë, sa dy vajza të tjera, njëra prej të cilave, ishte duke u mbajtur në krahun e tij, u flakën tutje prej tij. Kur punëtorë të lokalit tentuan ta qetësonin sulmuesin, shokët e tij shkuan të ndihmonin viktimën e tij. Pasi ajo u ngrit në këmbë prej tyre, nisi t’i dilte gjak nga hunda e thyer, ishte dëshmia e dëgjuar në Gjykatën Southwark Crown Court.
Lojtari 29‑vjeçar, nga Waltham Cross, Hertfordshire, ka thënë se ishte viktimë e ngatërrimit të identitetit, por dëshmitë nga disa dëshmitarë, përfshirë një trajner futbolli, që këmbënguli se ai ishte sulmuesi, bënë që juria të vendoste se ai po gënjente dhe se e meritonte ndëshkimin prej 18 muajsh burg pasi u shpall fajtor për sulm seksual kundër 20-vjeçares, duke shkaktuar dëmtim trupor.
Drejtuesi i Uiganit, Dejv Uilan, ka konfirmuar se Marlon King nuk do të luajë më për klubin e tij menjëherë pasi King u dënua me burg dje. King ka kaluar një periudhë huazimi te Midëllsbrou para se të kthehej te Uigani në verë, por tashmë do të mbetet pa klub duke qenë se periudha e detyrueshme ka skaduar. Uilan ka deklaruar: “Ne duhet të ndjekim rregullat, që thonë se duhet t’i japim 40 ditë afat për ta lajmëruar se kontrata e tij do të shfuqizohet. Ai është i shkarkuar. Ne nuk tolerojmë absolutisht lojtarë futbolli që dënohen me 18 muaj burg. Për mendimin tonë, ai e ka derën e mbyllur te Uigan Atletik.”