Afrim Tovërlani, prej të shtunës do ta udhëheqë nga bankina ekipin e tij, Trepçën ’89. Strategut kosovar, të premten i ka përfunduar dënimi prej katër muajsh, të cilin ia pat shqiptuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), gjatë kohës sa ishte kryetrajner i FC Prishtina.
Para pak javësh, Tovërlani kaloi tek Trepça ’89, e cila garon në Ligën e Parë. Kjo skuadër, të shtunën do të ndeshet me Ferronikelin.
“Ai dënim, aq i gjatë, ka qenë i padrejtë. Megjithatë, tani punën time do ta kryej nga bankina, ku do të kem më të lehtë t’i jap instruksione ekipit tim”, tha Tovërlani, i cili beson se do t’ia dalë ta rikthejë Trepçën ’89 në Superligë.
“Konkurrenca është shumë e fortë. Megjithatë, Trepça ’89 ka skuadër cilësore për t’u rikthyer në Superligë. Besoj se në fund të kampionatit, unë bashkë me mitrovicasit do t’i gëzohemi suksesit”, deklaroi Tovërlani për grande juve.
Trepça ’89 zë vendin e tretë në renditjen tabelore, me 24 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Ballkani.