Edhe këtë vit David Bekham do të jetë blerja e parë e kuqezinjve në merkaton e janarit. Ndoshta edhe më parë, nëse Liga e futbollit do të marrë një vendim në kuptimin për ta hapur para kohe merkaton më 1 janar. Blerja tjetër duhet të jetë sulmuesi i ri ganez Adiah. Këtë e konfirmon edhe administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galiani: “Për sa i takon Milanit, do të vijë Bekham, - tha ai.
- Pas disa orësh ne dhe Los Anxhelesi do të njoftojmë marrëveshjen. Do të presim dokumentet e tjera. Është normale që merkatoja të hapet para kohe, sepse data 7 i referohet vitit të shkuar, kur kampionati rifillonte më 11 janar, pas pushimeve dimërore. Duke rifilluar kampionati më datë 6, duhet që merkatoja të hapet më shpejt, duke parë që në të gjitha vendet e tjera europiane hapet më datë 1 ose 2 janar”.